Shqipëria pritet të dalë me një Eurobond të re në vitin 2027. Kjo do të jetë hera e tetë që vendi hyn në tregjet financiare ndërkombëtare brenda 17 vjetësh.
Vlera e Eurobondit të ri
Drafti i buxhetit për vitin e ardhshëm parashikon që vlera e këtij eurobondi të jetë 62.6 miliardë lekë, e cila me kursin aktual të këmbimit përbën rreth 688 milionë euro. Kështu, ai do të jetë eurobondi më i madh i emetuar ndonjëherë nga Shqipëria.
Huamarrja e jashtme parashikohet të kryhet përmes disbursimit të huave që financojnë zbatimin e projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore, procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të plotësohen gjatë vitit 2027.
Huamarrja e huaj gjatë vitit 2027
Në tërësi, huamarrja e huaj gjatë vitit 2027 vlerësohet të jetë rreth 118.2 miliardë lekë. Duke marrë parasysh borxhin e huaj që ripaguhet brenda vitit, huamarrja neto e huaj pritet të arrijë në 22.6 miliardë lekë.
Eurobondi është një obligacion i emetuar jashtë vendit (offshore) nga një qeveri ose korporatë, i shprehur në një monedhë të ndryshme nga ajo e vendit të emetuesit. Ai i mundëson qeverisë të ketë qasje te investitorët ndërkombëtarë, duke siguruar më shumë financim në formën e borxhit. Pra, shteti merr borxh në një vlerë të caktuar nga investitorë të huaj dhe e kthen atë bashkë me interesat pas një periudhe maturimi.
Eurobondi i parë i emetuar nga Shqipëria ishte në vitin 2010, me një shumë prej 300 milionë eurosh dhe afat maturimi 5-vjeçar. Ky borxh tashmë është mbyllur. Ndërkohë, dalja e fundit e vendit ishte në vitin 2025.
Burimi: top-channel.tv