Bordi i Transparencës ka ndryshuar edhe një herë çmimet e karburanteve.
Sipas njoftimit më të fundit, nafta është ulur me 6 lekë dhe do të shitet 212 lekë/litër. Ndërsa benzina nuk ka pësuar asnjë ndryshim dhe do të vazhdojë të shitet 179 lekë/litër.
Vendimi i Bordit të Transparencës
Njoftimi:
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e radhës.
Kështu, Bordi i Transparencës në datë 31 tetor 2026 vendosi:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 212 lekë/litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 179 lekë/litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Hyrja në fuqi dhe masat për operatorët
Çmimet e përcaktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 31, ora 12.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Top Channel
Burimi: top-channel.tv


