Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Prodhimi i energjisë rritet 77,9% në tremujorin e tretë

Prodhimi i energjisë rritet 77,9% në tremujorin e tretë
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Prodhimi i energjisë elektrike në vend u rrit me 77,9% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, duke arritur në 1 913 GWh, nga 1 075 GWh në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), energjia elektrike në dispozicion u rrit me 13,2% në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025, ndërsa rritja e prodhimit vendas u shoqërua me një ulje të importeve dhe rritje të eksporteve.

Burimet e prodhimit

Hidrocentralet publike kontribuuan me 57,9% të prodhimit neto vendas, hidrocentralet private dhe koncesionare me 15,9%, ndërsa prodhuesit e tjerë me 26,2%.

Hidrocentralet publike prodhuan 1 107 GWh energji elektrike, me rritje 89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, prodhimi nga hidrocentralet private dhe koncesionare arriti në 305 GWh, me rritje 71,6%, ndërsa prodhuesit e tjerë realizuan 501 GWh, ose 60,8% më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2025.

Importi, eksporti dhe humbjet

Në të njëjtën periudhë, importi i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, zbriti në 998 GWh, nga 1 260 GWh një vit më parë, duke shënuar rënie 20,8%. Nga ana tjetër, eksporti arriti në 620 GWh, nga 312 GWh, me rritje 98,8%.

Sa i përket humbjeve në rrjet, INSTAT raporton se ato u rritën me 7,7%, duke arritur në 348,3 GWh, nga 323,4 GWh në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, pesha e humbjeve ndaj energjisë elektrike në dispozicion zbriti në 15,2%, nga 16% një vit më parë, me një ulje prej 0,8 pikë përqindjeje. Humbjet në transmetim u rritën me 16,9%, ndërsa ato në shpërndarje me 6,2%.

Konsumi

Ndërkohë, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 14,3%, duke arritur në 1 942 GWh, nga 1 700 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e konsumit u ndikua si nga abonentët familjarë, konsumi i të cilëve u zgjerua me 18,3%, ashtu edhe nga konsumatorët jofamiljarë, ku rritja ishte 10,4%.

/e.xh/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha