Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Ibrahimaj propozon projekt evropian për zinxhirët industrialë

Ibrahimaj propozon projekt evropian për zinxhirët industrialë
Foto: euronews.al

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, këtë të mërkurë mbajti fjalimin hapës në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”. Gjatë fjalës së saj, ministrja prezantoi vizionin e Shqipërisë për tërheqjen e investimeve cilësore, forcimin e integrimit industrial rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Evropian.

Ibrahimaj tha se objektivi i këtij edicioni është kalimi nga dialogu te vendimmarrja konkrete për investime, dhe nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi i kapitalit publik dhe privat.

Ballkani Perëndimor dhe transformimi industrial i Evropës

Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike në Evropë dhe riorganizimit të zinxhirëve të furnizimit, ministrja nënvizoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë aktive e transformimit industrial, digjital dhe të gjelbër të kontinentit.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria propozon, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shqyrtimin e mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kapacitetet kërkimore dhe prodhuese të rajonit me nevojat strategjike të industrisë evropiane, duke krijuar zinxhirë të rinj dhe më të qëndrueshëm furnizimi.

Sipas ministres, një fokus i veçantë duhet të jenë lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm. Synimi është që Shqipëria të kapërcejë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojë industri me vlerë më të lartë të shtuar, përmes përpunimit, prodhimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe riciklimit.

Performanca ekonomike dhe cilësia e investimeve

Duke prezantuar performancën ekonomike të vendit, Ibrahimaj tha se në gjysmën e parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Papunësia në tremujorin e dytë ishte 8.3%, ndërsa paga mesatare bruto u rrit me gati 10% në bazë vjetore.

Ministrja theksoi se sfida e radhës nuk është vetëm rritja e volumit të investimeve, por përmirësimi i cilësisë së tyre, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara. Në këtë drejtim, Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve deri në vitin 2030 përcakton kuadrin për avancimin e reformave rregullatore, përmirësimin e eficiencës administrative dhe forcimin e sigurisë juridike.

Financimi, shërbimet dhe zhvillimi i aftësive

Një tjetër çështje e diskutimit ishte aksesi në financim. Ibrahimaj vuri në dukje nevojën për zhvillimin e instrumenteve alternative, si kapitali sipërmarrës dhe kapitali privat, që startup-et, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe kompanitë inovative të mund të zhvillojnë idetë, të zgjerojnë aktivitetin dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.

Ajo nënvizoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë në eksportin e shërbimeve me vlerë të lartë, veçanërisht në inxhinieri, zhvillimin e programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistikë. Ministrja theksoi se zhvillimi i aftësive profesionale dhe bashkëpunimi i ngushtë mes arsimit dhe industrisë do të jenë përcaktues për fazën e ardhshme të rritjes ekonomike.

Tregu i përbashkët dhe zgjerimi evropian

Në përfundim, ministrja vlerësoi rëndësinë e Planit të Rritjes të BE-së dhe Tregut të Përbashkët Rajonal si instrumente për reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe zgjerimin e mundësive për bizneset e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi duhet parë jo vetëm si zgjerim i tregut evropian, por edhe si zgjerim i kapaciteteve industriale dhe prodhuese të Evropës”, theksoi Ibrahimaj, duke ftuar investitorët ndërkombëtarë të eksplorojnë potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivat afatgjata të rajonit.

Konferenca dyditore synon të forcojë dialogun mes institucioneve evropiane, investitorëve, institucioneve financiare dhe sipërmarrjes, duke identifikuar projekte konkrete dhe mundësi të reja bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha