Mbrojtja e konsumatorit hyn në një fazë të re me miratimin e ligjit nr. 116/2026, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimin e të drejtave të qytetarëve në marrëdhëniet me bizneset dhe ofruesit e shërbimeve.
Forcimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi
I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Klajdi Tozaj, oficer projekti në Qendrën Alert, foli për punën e bërë për forcimin e kapaciteteve të organizatave, sipërmarrësve dhe individëve të përfshirë në nisma për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas tij, projekti ka synuar të përfshijë kategori të ndryshme aktorësh, pavarësisht profilit të tyre, duke i mbështetur përmes trajnimeve dhe duke krijuar një rrjet bashkëpunimi me shtrirje sa më të gjerë gjeografike.
“Ka qenë një sfidë dhe diçka për t’u vlerësuar që, pavarësisht profilit, kanë shprehur dëshirën të përfshihen”, u shpreh Tozaj. Ai theksoi se mbrojtja e konsumatorit nuk është një fushë e izoluar, por lidhet edhe me sektorë të tjerë dhe me akte të ndryshme normative, çka e bën të nevojshëm bashkëpunimin mes aktorëve dhe rritjen e njohurive të tyre.
“Tematikat janë përtej të drejtave të konsumatorit, pasi është një fushë e ndërlidhur edhe me fusha të tjera”, deklaroi Tozaj.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektit ka qenë krijimi i një rrjeti bashkëpunimi me shtrirje të gjerë gjeografike, me synimin që ai të jetë i qëndrueshëm dhe të angazhojë të gjitha palët edhe përtej periudhës së trajnimeve. Sipas Tozajt, kjo ka mundësuar forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e mundësive për trajtimin e problematikave, në mënyrë që konsumatorët të kenë më shumë mbështetje dhe përfaqësim.
Rezultatet e projektit
Sa u përket rezultateve konkrete, Tozaj bëri të ditur se gjatë dy viteve të zbatimit të projektit janë regjistruar gjithsej 227 telefonata lidhur me ankesat e konsumatorëve. Nga këto, 120 raste kanë plotësuar kriteret për t’u trajtuar si ankesa, pasi jo çdo telefonatë apo kontakt i qytetarëve mund të ndiqet si rast konkret.
“Janë 120 raste të trajtuara deri tani që nga nisja e projektit. Jo çdo telefonatë përmbush kushtet që të ndiqet”, theksoi ai.
Nga 120 ankesat e trajtuara, 84 prej tyre, ose rreth 69%, kanë marrë zgjidhje. Tozaj nënvizoi se trajtimi i problematikave kërkon kohën e vet, pasi procesi përfshin edhe njoftimin e tregtarit për ankesën dhe pritjen e reagimit të tij.
Informimi dhe ndërgjegjësimi
Tozaj nënvizoi se përtej trajtimit të ankesave, informimi, ndërgjegjësimi dhe denoncimi i problematikave mbeten pjesë të rëndësishme të projektit. Synimi është rritja e njohurive të konsumatorëve dhe nxitja e tyre për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre.
Burimi: www.balkanweb.com










