Lëvizja e udhëhequr nga studentët në Serbi, e cila sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare ka mundur Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, ka filluar aksionet për pastrimin e hapësirave publike, ndërsa po përgatitet për të formuar qeverinë e re.
Kjo fitore vjen pas dy vitesh protestash, të cilat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Pastrimi i hapësirave publike në Beograd
Të hënën, studentët dhe qytetarët iu bashkuan një aksioni për pastrimin e një parku pranë ndërtesës së Presidencës në Beograd. Hapësira ishte zënë për më shumë se një vit nga një kamp i ngritur nga mbështetësit e qeverisë.
🇷🇸 Serbia’s Student List activists have started cleaning Belgrade of nationalist and offensive graffiti.
They also removed anti-Albanian slurs. https://t.co/rjjBTI2UfN
— kos_data (@kos_data) October 28, 2026
Brenda disa orësh, parku u pastrua dhe këndi i lojërave u bë sërish i përdorshëm për fëmijët, shkruan france24.
Dhjetëra qytetarë morën pjesë në pastrimin e një tuneli në qendër të Beogradit, muret e të cilit ishin mbushur me mbishkrime nga palët kundërshtare politike.
Ndër mbishkrimet e shfaqura nëpër qytet ishin “Siptar”, “FCK BLK”, dhe “FCK SNS”.
Grafiti i parë përdoret për fyerjen dhe nënçmimin e shqiptarëve.
I dyti u drejtohej protestuesve, të cilët autoritetet i kishin cilësuar si bllokues, ndërsa i treti shënjestronte Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit.
Rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë
Ndërkohë, rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë se lista e mbështetur nga studentët ka siguruar mbi 52 për qind të votave, që përkthehen në rreth 140 nga 250 ulëset në parlament. Ky rezultat do t’i mundësonte asaj të qeveriste e vetme.
Megjithatë, lëvizja duhet të presë certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe konstituimin e parlamentit, përpara se të formojë qeverinë dhe të emërojë kryeministrin.
Fitorja e saj shënon fundin e 14 viteve të qeverisjes së SNS-së, ndërsa sfida e radhës mbetet formimi i institucioneve të reja. /Telegrafi
Burimi: www.gazetaexpress.com









