Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Azerbajxhani dhe Izraeli forcojne bashkepunimin ushtarak

Azerbajxhani dhe Izraeli forcojne bashkepunimin ushtarak
Foto: sot.com.al

Azerbajxhani dhe Izraeli po ndërtojnë një aleancë strategjike që lidh interesa sigurie, energjie dhe rivalitete rajonale në një hapësirë ku gjeopolitika ndërthuret ngushtë. Afrimi mes dy vendeve nuk mund të shihet thjesht si një marrëveshje për prodhimin e armëve; raportet e vendosura pasqyrojnë një bashkëpunim strategjik të bazuar në interesa të përbashkëta sigurie dhe në nevojën për autonomi ushtarake afatgjatë. Për Bakunë, partneriteti me Tel Avivin krijon mundësinë për të forcuar industrinë e mbrojtjes, për të diversifikuar burimet e teknologjisë ushtarake dhe për të konsoliduar pozicionin në Kaukazin Jugor, një hapësirë e karakterizuar nga rivalitetet me Armeninë dhe nga ndërthurja e interesave të fuqive rajonale.

Për Izraelin, Azerbajxhani përbën një partner me rëndësi të veçantë strategjike, si për bashkëpunimin ushtarak dhe energjetik, ashtu edhe për pozicionin e tij gjeografik në kufi me Iranin. Ky dimension e bën marrëdhënien mes dy vendeve më të gjerë se një partneritet ekonomik; ajo pasqyron edhe dinamikat e rivalitetit izraelito-iranian dhe përpjekjet e të dyja palëve për të forcuar pozitat e tyre në një mjedis rajonal gjithnjë e më kompleks. Duke u kthyer te objekti i shkrimit, “Ari Arms”, një kompani izraelite që merret me projektimin dhe prodhimin e armëve të zjarrit kryesisht për ushtrinë dhe institucionet e sigurisë, përuroi një kompleks industrial në prani të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në kuadër të një marrëveshjeje që parashikon prodhimin e dhjetëra mijëra armëve.

Më tej, duket se dy vendet po forcojnë bashkëpunimin, i cili përfshin jo vetëm furnizimet ushtarake, por edhe investimet në sektorin energjetik. Gazeta ekonomike izraelite Globes raporton se fabrika e re përbën për Bakunë një mundësi më shumë për të ndërtuar një industri kombëtare të mbrojtjes, gjithnjë e më pak e varur nga importet. Fabrika, në pronësi të qeverisë azerbajxhanase, përdorej më parë për prodhimin e armëve kallashnikov; tani, me zgjerimin e aktiviteteve në kuadër të sipërmarrjes së përbashkët që përfshin “Ari Arms” dhe Ministrinë e Industrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, në kompleks do të hapet një linjë prodhimi e dedikuar për pushkët M4, duke braktisur prodhimin e armës automatike, legjendës kallashnikov.

Pushka AK-47 dhe projekti OR-4

Është me interes për lexuesin pak informacion lidhur me këtë armë, me të cilën kanë qenë dhe janë të pajisura shumë ushtri të botës, përfshirë edhe ushtrinë tonë. Pushka e njohur në mbarë botën si AK-47 është një nga armët më të përhapura të shekullit XX; ajo u projektua në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Projektuesi, Mikhail Kalashnikov, lindi më 10 nëntor 1919 në fshatin Kurya, në atë që sot është rajoni Altai i Rusisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai shërbeu në Ushtrinë Sovjetike si mekanik i tankeve dhe, pasi u plagos, filloi të merrej me projektimin e armëve. Për projektin AK-47 (shkurtim i shprehjes ruse Avtomat Kalashnikova) u punua gjatë viteve 1946–1947, ndërsa në vitin 1949 projekti u miratua dhe u pranua nga ushtria sovjetike.

Arma u projektua që të ishte relativisht e thjeshtë për t’u prodhuar dhe për t’u përdorur në kushte dhe operacione të vështira ushtarake, cilësi që ndihmuan në përhapjen e saj në shumë ushtri dhe konflikte në mbarë botën. Modeli i zhvilluar nga kompania izraelite, i cili do të prodhohet tashmë në Azerbajxhan dhe quhet OR-4, i përket familjes së pushkëve M4/M16 dhe, sipas informacioneve të publikuara nga Globes, kontrata me vlerë miliona dollarë parashikon prodhimin e disa dhjetëra mijëra pushkëve. Gjatë panairit ndërkombëtar të mbrojtjes ADEX, në prani të autoriteteve të larta shtetërore u prezantua prototipi i parë i prodhuar në fabrikë, duke shpjeguar karakteristikat e projektit dhe procesin e prodhimit.

ARI Arms OR-4 është një karabinë ushtarake me kalibër 5,56 × 45 mm, kapaciteti i karikatorit 30 fishekë, gjatësia e tytës 10,3″ / 11,5″ / 14,5″, largësia maksimale e predhës rreth 2.500–3.000 m, në varësi të municionit dhe kushteve, dhe largësia efektive e qitjes rreth 300–500 m. Për “Ari Arms”, ky bashkëpunim përfaqëson një mundësi për të konsoliduar një marrëdhënie tregtare afatgjatë dhe për të forcuar praninë izraelite në Kaukazin Jugor. Kompania operon në sektorin e armëve të lehta dhe, sipas Globes, kapaciteti i saj prodhues është rritur më shumë se 100%; gjithashtu, kompania ka siguruar edhe një kontratë për furnizimin me pushkë M4 të njësive luftarake të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.

Bashkëpunimi ushtarak dhe roli i Iranit

Duhet theksuar se ky nuk është bashkëpunimi i parë mes dy vendeve; marrëdhëniet mes Izraelit dhe Azerbajxhanit përfshijnë tashmë furnizime ushtarake në një diapazon shumë më të gjerë dhe kompleks. Gjatë viteve të fundit, Bakuja ka blerë dronë “Hermes 900” nga kompania Elbit Systems, sisteme të mbrojtjes ajrore “Barak MX” nga kompania Israel Aerospace Industries si dhe raketa të familjes “Spike”, të prodhuara nga Rafael. Azerbajxhani i ka përdorur të gjitha këto sisteme në konfliktet me Armeninë, të cilat historikisht lidhen me çështjet e rajonit të Nagorno-Karabakhut si dhe me mosmarrëveshje të tjera territoriale, gjeopolitike dhe etnike. Megjithëse një marrëveshje kornizë paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA u arrit në gusht të vitit 2025, procesi i normalizimit të plotë vijon të përballet me pengesa. Në gjithë këtë zhvillim ekziston edhe një aktor i tretë, Irani, i cili, megjithëse nuk është i përfshirë në këtë marrëveshje, pa dyshim që i ndjek me vëmendje zhvillimet e bashkëpunimit mes Bakusë dhe Izraelit si dhe krijimin e aleancave të qëndrueshme.

Në përfundim, Azerbajxhani po kalon nga importimi i armëve drejt prodhimit të tyre në vend, ndërsa Izraeli po zgjeron bashkëpunimin ushtarak dhe energjetik me Bakunë. Ky zhvillim ka rëndësi strategjike për Kaukazin Jugor dhe për ekuilibrat rajonalë. Elementi që i jep këtij bashkëpunimi një peshë të veçantë gjeopolitike është Irani, pasi për Teheranin afrimi ushtarak mes Izraelit dhe Azerbajxhanit përbën një zhvillim që duhet vlerësuar në kontekstin e rivalitetit të tij me Izraelin dhe të ndjeshmërisë strategjike ndaj kufijve veriorë. Megjithatë, rëndësia e marrëveshjes nuk qëndron vetëm te reagimi i mundshëm iranian, por edhe te mënyra se si Bakuja po kërkon të rrisë autonominë e vet ushtarake dhe të zgjerojë hapësirën e manovrimit në politikën e jashtme.

Në një rajon ku ndërthuren interesat e Iranit, Turqisë, Rusisë dhe fuqive të tjera, partneriteti azerbajxhano-izraelit është një tjetër tregues se siguria nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë, por edhe nga rrjetet e bashkëpunimit që shtetet ndërtojnë përtej tyre. Sfida do të tregojë nëse ky partneritet do të mbetet një instrument i forcimit të kapaciteteve kombëtare apo do të ndikojë më tej në tensionet dhe llogaritjet strategjike të rajonit. Marrëveshja mes Azerbajxhanit dhe Izraelit shkon përtej prodhimit të pushkëve M4 në një fabrikë në Baku; ajo tregon se industria e mbrojtjes nuk është thjesht çështje prodhimi dhe tregtie, por mbetet një instrument i politikës së jashtme, i sigurisë kombëtare dhe i pozicionimit në ekuilibrat e fuqisë.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha