Një hetim i revistës amerikane “Vanity Fair” ngre dyshime për lëvizje të mëdha financiare që lidhin Jared Kushnerin, dhëndrin dhe ish-këshilltarin e Donald Trumpit, me udhëheqës të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite.
Sipas revistës, një pjesë e historisë u zbulua pasi shërbimi holandez i inteligjencës siguroi pamje të ekranit të telefonit të Kushnerit. Gjatë mbikëqyrjes, agjentët vunë re se ai hynte në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishin depozituar qindra miliona dollarë përmes një banke në Azerbajxhan.
“Vanity Fair” shkruan se në vitin 2017, udhëheqës të Emirateve dhe Arabisë Saudite biseduan me Kushnerin për krijimin e një fondi për synime të politikës së jashtme. Fillimisht u diskutua mundësia e një financimi mbi 10 miliardë dollarë, por plani u la mënjanë. Më pas, të paktën 2 miliardë dollarë u depozituan në dy llogari të lidhura me Kushnerin.
Njëra prej tyre, e quajtur “Alpha” në hetim, mbahej në First Abu Dhabi Bank. Rreth 750 milionë dollarë u transferuan në këtë llogari nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin që paratë të përdoreshin për çështje të politikës së jashtme, sipas revistës.
Kushneri nuk ishte pronar i llogarisë “Alpha”, por kishte autorizim për të kryer veprime në të. Llogaria ishte në pronësi të një fondacioni bamirësie të financuar nga qeveria e Emirateve.
Burime të cituara në artikull pretendojnë se fondacioni shërbente edhe si mbulesë për transferimin e parave që mbështesnin operacione të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së Emirateve jashtë vendit. Sipas tyre, statusi bamirës i organizatës bënte që transaksionet ndërkombëtare të përballeshin me më pak kontrolle.
Hetimi shtron pyetje edhe për autorizimin që Kushneri kishte për këto veprime. Katër ish-zyrtarë të lartë të administratës Trump, të cituar nga revista, thanë se nuk dinin për ndonjë autorizim presidencial që t’i jepte atij qasje në llogarinë bankare të një qeverie të huaj.
Avokati i Kushnerit i ka kundërshtuar përfundimet që mund të nxirren nga hetimi. Ai deklaroi se klienti i tij nuk kishte bërë marrëveshje apo aranzhime me udhëheqës ose zyrtarë të huaj pa miratimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe se çdo veprim ishte ndërmarrë në interes të SHBA-së.
Zbulimi i llogarisë bankare në Dubai
Artikulli nga Vanity Fair:
Në fund të pranverës së vitit 2020, një person që e konsideroja të besueshëm më telefonoi për të më treguar një histori: qeveria holandeze kishte hakuar telefonin e Jared Kushnerit dhe po e ndiqte teksa hynte në një llogari bankare në Dubai. Sipas burimit, ajo që binte në sy ishte se në llogari kishin hyrë qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan. Edhe më e rëndësishme, Kushneri dukej se kishte dërguar shuma të mëdha parash prej kësaj llogarie te persona të tjerë, mes tyre një komandant lufte, një mercenar dhe një ish-vrasës me pagesë.
I thashë burimit se historia më dukej absurde. Megjithatë…
Gjashtë muaj më pas, po flisja me dikë tjetër për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përdorimin prej saj të mercenarëve në konfliktet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. E pyeta rastësisht nëse kishte dëgjuar për Kushnerin dhe transfertat nga një llogari në Emiratet e Bashkuara Arabe. Personi heshti disa çaste dhe pastaj u përgjigj: “Po”.
Gjatë katër viteve që pasuan, mësova se në fund të vitit 2017 Shërbimi Holandez i Inteligjencës së Mbrojtjes dhe Sigurisë (MIVD) kishte bërë një zbulim tronditës. Një operativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtabit të Forcave të Armatosura të Rusisë (GRU), haker i rrjetit të errët me përvojë në të dhënat bankare të vjedhura, po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar për një mision spiunazhi.
Holandezët i kërkuan qeverisë britanike leje për ta arrestuar pas mbërritjes dhe britanikët pranuan. Kur shtetasi rus mbërriti në Angli, holandezët i ofruan dy zgjedhje: të bashkëpunonte me ta kundër GRU-së ose të arrestohej nga britanikët. Në rast dënimi, ai do të kalonte vite në një burg britanik. Rusi vendosi të kalonte në anën tjetër.
Më vonë gjatë atij viti, agjenti rus u dha spiunëve holandezë hyrje në një nga asetet më të ndjeshme të GRU-së. Në Rostov të Rusisë, një grup hakerësh dhe specialistësh kibernetikë të GRU-së administronte një server në distancë ku ruheshin disa nga të dhënat e vjedhura. Teksa kërkonin në dosjet sekrete, holandezët gjetën diçka të jashtëzakonshme: pamje të ekranit të iPhone-it të Jared Kushnerit.
Në Hagë, ekipi i hakerëve të MIVD-së u përpoq të kuptonte se si rusët kishin depërtuar në telefon. Kushneri kishte modelin më të ri të asaj kohe, iPhone X, të hedhur në treg në nëntor të vitit 2017. Pajisja përfshinte Face ID-në, sistemin e sigurisë që Apple e kishte promovuar gjerësisht në prezantimin e saj.
Teksa kërkonin mënyrën për të anashkaluar mbrojtjen e telefonit, holandezët kuptuan se rusët mund të mos e kishin kaluar hyrjen kryesore, por të kishin gjetur një dritare të pambrojtur.
Hamendësimi doli i saktë. Në fillim të vitit 2018, MIVD zbuloi një dobësi në iPhone që lejonte qasje në pajisje. Por mënyra e shfrytëzimit të saj nuk ishte e përsosur. Disa programe keqdashëse mund ta përdorin telefonin e viktimës si mikrofon e kamer, ta ndezin ose ta fikin dhe të marrin apo të shtojnë skedarë. Metoda holandeze nuk siguronte këtë shkallë kontrolli. Në vend të kësaj, sa herë që Kushneri e përdorte telefonin, agjentët mund të shihnin ekranin e tij.
Thuajse menjëherë pasi hynë në telefon, shërbimi i inteligjencës nisi të regjistronte çdo pamje të ekranit gjatë përdorimit të pajisjes nga Kushneri dhe t’i ruante ato në serverët e brendshëm.
Monitorimi zbuloi se Kushneri përdorte telefonin për t’u futur në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Deri kur spiunët holandezë mundën të vëzhgonin aktivitetin e pajisjes, në llogari kishin mbërritur qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan.
Fillimisht u vlerësua se llogaria kishte lidhje me qeverinë e Azerbajxhanit. Për hakerët e MIVD-së, ajo u bë një enigmë e inteligjencës që duhej zgjidhur. Pothuajse çdo gjë që hetonin dukej se lidhej me komplote ruse.
Pak më shumë se një vit pasi Trumpi nisi presidencën e tij të parë, MIVD-ja, ashtu si agjentët e FBI-së dhe prokurorët federalë në Uashington që merreshin me hetimin e Robert Muellerit, kishte zbuluar vetëm një pjesë të ngjarjes.
Lidhja mes Kushnerit, MBZ-së dhe MBS-së
Kushneri, sundimtari i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed (MBZ), dhe Mohammed bin Salman (MBS) i Arabisë Saudite u afruan në një periudhë vendimtare.
MBS synonte të bëhej princ i kurorës. MBZ-ja donte të rrëzonte marrëveshjen bërthamore të Obamës me Iranin, ndërsa Kushneri shpresonte që të dy ta ndihmonin të ushtronte presion mbi palestinezët për një marrëveshje të pranueshme për Izraelin.
Megjithëse njihej si i pasur, Kushneri nuk ishte krejtësisht i pavarur financiarisht nga prindërit e tij. Kompania familjare, Kushner Companies, duhej të shlyente një kredi prej një miliard dollarësh për ndërtesën e saj më të njohur, kullën e zyrave në Manhatan, në adresën 666 Fifth Avenue.
Në nisje të administratës së parë Trump, MBZ-ja dhe MBS-ja ofruan të financonin një fond të posaçëm, që do ta ndihmonte administratën e re të përmbushte objektivat e politikës së jashtme. Mes mundësive ishte financimi i murit që Trumpi premtoi të ndërtonte në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, me synimin për të siguruar një mandat të dytë presidencial.
Në bisedat fillestare me Kushnerin, dy udhëheqësit arabë shqyrtuan mundësinë e investimit të më shumë se 10 miliardë dollarëve në këtë nismë.
Brenda disa muajsh, ndërsa MBZ-ja ushtronte presion mbi administratën Trump për të mbështetur përpjekjen e MBS-së për t’u bërë princ i kurorës dhe më pas mbret i Arabisë Saudite, plani për një fond më të gjerë të politikës së jashtme u braktis.
Në vend të tij, MBZ-ja dhe MBS-ja fillimisht së bashku e më pas vetëm MBZ-ja, vendosën të paktën 2 miliardë dollarë në të paktën dy llogari bankare të lidhura me Kushnerin.
Nuk dihet me saktësi si u organizuan kontributet e përbashkëta prej 2 miliardë dollarësh nga dy udhëheqësit arabë. Në praktikë, megjithatë, ata e ndanë koston. Për të kuptuar marrëveshjen, duhet parë vendndodhja e llogarive dhe personat që i kontrollonin ato.
Llogaria bankare “Alpha” ishte në First Abu Dhabi Bank, institucioni më i madh bankar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbikëqyrjen e saj e kishte Tahnoon bin Zayed, vëllai i MBZ-së dhe kryetar i bordit të bankës.
Që prej vitit 2017, sauditët dhe emiratët dërguan rreth 750 milionë dollarë në llogarinë Alpha. Ajo ishte menduar si fond për politikën e jashtme. Një pjesë e mbikëqyrjes dhe administrimit të parave do të bëhej nga Kushneri dhe MBZ-ja, të cilët, në përpjekjen për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i jepte fund konfliktit izraelito-palestinez, besonin se duhej ndryshuar harta e rajonit.
“Jaredi po kërkonte rrugë të shkurtra në diplomacinë e tij”, tha një burim që kishte njohuri për marrëveshjen mes Emirateve dhe Kushnerit.
Ky person kishte biseduar me zyrtarë të lartë të Emirateve dhe Izraelit lidhur me marrëveshjen e fshehtë financiare mes Kushnerit, Emirateve dhe, të paktën në fillim, Arabisë Saudite.
“Jaredi i premtoi MBZ-së se do ta çonte përpara agjendën e tyre me Trumpin, nëse ata do të kontribuonin në një fond. Ai donte normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, që biznesi të lulëzonte”, tha burimi.
Sipas të njëjtit person, fondi i
Burimi: www.albeu.com









