Reshjet e shiut dhe dëborës kanë prekur të gjithë territorin e Qarkut Kukës gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa situata meteorologjike paraqitet aktualisht e qëndrueshme.
Sipas raportimit të bërë deri në orën 08:20 të datës 29 nëntor, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa gjatë natës janë shoqëruar me dëborë.
Rrugët e dëmtuara nga kushtet atmosferike
Për shkak të kushteve atmosferike, rrugët nacionale dhe ato bashkiake janë përballur me rënie gurësh, inertesh dhe dëbore.
Subjektet kontraktore kanë vazhduar punën për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, me qëllim garantimin e qarkullimit.
Aktualisht, të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, ndërsa bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportojnë probleme të tjera.
Furnizimi me energji elektrike
Pjesa më e madhe e qarkut ka energji elektrike. Përjashtim bëjnë fshati Myç-Has, Njësia Administrative Gjinaj dhe Golaj në Bashkinë Has, si dhe Njësia Administrative Lekbibaj në Bashkinë Tropojë.
Burimi: www.albeu.com










