Operacioni policor “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”. Një shtetase është vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë siguruar dhe furnizuar pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje me sende të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre për akte të dhunshme.
Sekuestrimi i sendeve të rrezikshme
Policia sekuestroi 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundërgaz dhe sende të tjera.
Operacionin e zhvilloi Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai u bazua në informacione të siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, të cilat do të përdoreshin gjatë protestës së 28 nëntorit.
Arrestimi në flagrancë
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundërgaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Personat e shpallur në kërkim
Nga veprimet hetimore dyshohet se e arrestuara, në bashkëpunim me I. M., 28 vjeç, dhe R. S., 39 vjeç, siguronte dhe shpërndante sende të kundërligjshme për pjesëmarrësit në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore. I. M. dhe R. S. janë shpallur në kërkim.
Vijon puna për kapjen e dy të shpallurve në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Burimi: abcnews.al










