Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në një bisedë për Ekonomia Online, ka deklaruar se nuk pret ndryshime pozitive në sistemin arsimor nga ministri aktual i Arsimit, Hajrullah Çeku, as në nivelin parauniversitar dhe as në atë të arsimit të lartë.
“Po flasim për ministrin aktual, sepse ish-ministrja ka treguar veç të gjithë përvojën e saj të dëmshme në arsim në përgjithësi. Tani me një qasje krejt tjetër është ky ministër, por nuk pres absolutisht asnjë ndryshim për të mirë, duke filluar nga arsimi parauniversitar deri në arsimin e lartë”, tha Haxhiu.
Ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë
Haxhiu ka vlerësuar se Ligji për Arsimin e Lartë ka nevojë urgjente për ndryshime, në mënyrë që të sigurohet funksionim më i mirë i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.
“Së pari, ligji për arsimin e lartë vërtet është shumë i nevojshëm për t’u ndryshuar. Dje kishim një takim si komision për arsim, bashkë me të gjithë bartësit e arsimit të lartë privat. Më parë kemi pasur edhe institucionet publike të arsimit të lartë në një takim. Pra, ky është një ligj jetik për funksionimin e drejtë të këtyre institucioneve, dhe është e nevojshme të ndryshohet”, theksoi Haxhiu.
Ajo ka thënë se Komisioni për Arsim ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve private dhe publike të arsimit të lartë, me qëllim identifikimin e problemeve që kërkojnë ndërhyrje ligjore.
Sipas saj, anëtarët e komisionit janë pajtuar për nevojën e ndryshimit të këtij ligji, por ka shprehur shqetësimin se miratimi i tij mund të varet edhe nga votat e komunitetit serb.
“Fatkeqësisht është një prej ligjeve që kërkon edhe votat e komunitetit serb, gjë që është vërtet e paparë. Nuk do të duhej të ndodhte që votat e serbëve të vendosnin për ligjet e arsimit në nivel vendi. Ne kemi filluar një nismë të mirë për të ndryshuar këtë ligj. Vullneti i komisionit është tashmë i qartë, sepse mendoj që të gjithë anëtarët janë dakord. Mirëpo, sa ia dalim në seancë, prapë i mbetet partisë në pushtet të bëjë maksimumin dhe të bisedojë, siç kanë ditur shpesh të bisedojnë edhe me Listën Serbe kur kanë pasur interesa të veta”, ka theksuar ajo.
Ngarkesa administrative e mësimdhënësve
Deputetja e Aleancës ka ngritur shqetësimin edhe për ngarkesën administrative të mësimdhënësve në procesin e shpërndarjes, ruajtjes dhe kthimit të teksteve shkollore, duke vlerësuar se kjo përgjegjësi nuk duhet t’u takojë atyre.
Sipas saj, mësimdhënësit nuk mund të garantojnë se të gjithë nxënësit do t’i ruajnë dhe kthejnë librat në gjendjen e duhur, ndërsa në rast dëmtimi apo moskthimi, përgjegjësia mbetet te mësimdhënësi.
“Sa e rëndë është barrë për një kujdestar klase që të ruajë tekstet mësimore për nxënësit e moshave të ndryshme. Mund edhe të mos i ruajnë, pra i mbetet barrë dhe përgjegjësi mësimdhënësit. Kjo është një mënyrë shumë e dëmshme e furnizimit me tekste mësimore në nivel vendi. Po ngarkohen prapë me gjëra që do të duhej t’i linin krejt anash, sepse janë pjesë administrative që nuk i takon mësimdhënësit. Fëmijët nuk mund të jenë 100 për qind të sigurt që i ruajnë tekstet mësimore, aq më tepër kur i dimë se nxënësit sot mund të mos i ruajnë. Atëherë kush është përgjegjës? Përgjegjës mbetet mësimdhënësi. Pse të ngarkohet mësimdhënësi me këtë telash?”, ka theksuar ajo për EO.
Burimi: www.gazetaexpress.com










