Reshjet e shiut dhe dëborës kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit gjatë 24 orëve të fundit. Edhe pse situata meteorologjike paraqitet aktualisht e qëndrueshme, kushtet atmosferike kanë sjellë rënie gurësh, inertesh dhe dëbore në disa akse rrugore.
Sipas raportimit deri në orën 08:20 të datës 29 nëntor, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa gjatë natës janë shoqëruar me dëborë.
Punimet për pastrimin e rrugëve
Ndërkohë, subjektet kontraktore kanë vijuar punën për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.
Aktualisht, të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportojnë problematika të tjera.
Energjia elektrike
Probleme janë evidentuar në furnizimin me energji elektrike në disa zona. Pa energji vijojnë të jenë fshati Myç-Has, njësitë administrative Gjinaj dhe Golaj në Bashkinë Has, si dhe Njësia Administrative Lekbibaj në Bashkinë Tropojë.
Burimi: lajmifundit.al










