GJENEVË, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Votuesit zviceranë shkojnë sot në qendrat e votimit për të vendosur nëse do të ndryshohen rregullat e eksportit të armëve dhe nëse fishekzjarrët do të ndalohen.
Eksporti i armëve
Në një referendum, votuesit do të vendosin nëse do të lehtësohen kufizimet mbi eksportin e pajisjeve ushtarake.
Aktualisht, legjislacioni zviceran nuk lejon eksportin e armëve drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura, ndër kufizime të tjera.
Sipas ndryshimeve të propozuara, eksportet drejt vendeve partnere të përfshira në konflikte do të lejohen, me kusht që ato të mbeten në përputhje me neutralitetin zviceran dhe interesat e saj të politikës së jashtme ose të sigurisë.
Ndryshimi do t’i lejonte gjithashtu qeverisë federale të mos ndjekë kriteret e autorizimit nëse ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme dhe kjo është e nevojshme për të mbrojtur interesat e Zvicrës.
Eksportet do të mbeten subjekt i ligjit të neutralitetit, i kërkesave për të drejtat e njeriut dhe i detyrimeve të tjera ndërkombëtare.
Fishekzjarrët
Votuesit do të vendosin gjithashtu nëse do të ndalohen shitja dhe përdorimi privat i fishekzjarrëve “të zhurmshëm”.
Propozimi do të ndalonte piroteknikën me zë të lartë, për të zvogëluar zhurmën, ndotjen e ajrit, aksidentet dhe rreziqet e zjarrit, si dhe për të mbrojtur njerëzit dhe kafshët.
Nëse miratohet, ndalimi do të duhet të zbatohet brenda dy viteve. Sondazhet sugjerojnë se masa ka mbështetje të gjerë.
Shfaqjet profesionale të fishekzjarrëve do të përjashtohen nga kufizimet.
Kufizime të ngjashme janë në fuqi në Irlandë dhe Holandë.
Organizatat mjedisore kanë bërë thirrje për një ndalim në të gjithë vendin edhe në Gjermani, çështje që do të diskutohet përsëri javën e ardhshme nga ministrat e brendshëm të shteteve federale.
Burimi: ata.gov.al









