Kuvendi i Kosovës rrezikon të mos e përmbushë agjendën legjislative të paraparë për këtë vit, për shkak të mungesës së stafit të brendshëm, mungesës së kuorumit dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kështu ka vlerësuar hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, në një intervistë për Ekonomia Online.
Mungesa e stafit profesional
Jakaj ka thënë se Kuvendi po përballet me mungesë të konsiderueshme të stafit profesional, duke theksuar se gjysma e komisioneve parlamentare kanë koordinatorë me ushtrues detyre. Sipas tij, kjo situatë ndikon në efikasitetin dhe cilësinë e punës së komisioneve.
“Ajo çka dihet dhe që e kemi thënë si IKD, Kuvendi i Kosovës është përballur me mungesë të jashtëzakonshme të stafit të brendshëm, për shembull, gjysma e komisioneve parlamentare, koordinatorët e këtyre komisioneve janë me ushtrues të detyrës. Kuvendi i Kosovës, gjatë legjislaturës së 8, 9, 10 nuk do të duhej që t’i lënte këto komisione parlamentare, veçanërisht ato që janë të përhershme, me ushtrues detyre, por të shpallte konkursin, t’i emëronte personat të cilët kanë integritet edhe profesionalizëm në kryerjen e detyrave të caktuara që i ngarkon edhe kontrata e punës, edhe ligji për zyrtarë publikë e fushave në bazë të fushave konkrete të komisioneve parlamentare”, tha Jakaj.
Ai ka theksuar që Kuvendi të shpallë sa më parë konkurset për plotësimin e këtyre pozitave, në mënyrë që të sigurohet funksionimi efikas dhe profesional i komisioneve parlamentare.
“Në mënyrë që Kuvendi i Kosovës me përcjellë agjendën legjislative të qeverisë, por edhe punën e vet që e planifikon në bazë të programit të punës me efikasitet dhe me përmbajtje profesionale. Ne çka kërkojmë sot është që Kuvendi i Kosovës sa më parë të shpallë konkurset e caktuara të cilat e i plotësojnë këto pozita, në mënyrë siç e thashë edhe më herët, Kuvendi me e kryer punën e vet në pajtim me ligjin edhe me rregulloret përkatëse”, potencoi ai.
Mungesa e kuorumit dhe e bashkëpunimit politik
Hulumtuesi i IKD-së ka vlerësuar se përveç mungesës së stafit edhe mungesa e vullnetit për bashkëpunim politik dhe e kuorumit në komisione e seanca plenare vështirëson miratimin e projektligjeve.
“Ne besojmë që nuk do të mund ta përmbushë agjendën legjislative të paraparë për këtë vit, për arsyet që i përmendëm edhe më herët, të mungesës së stafit të brendshëm, mungesës së vullnetit të partisë politike që udhëheq me vendin në bashkëpunim me partitë opozitare që ligjet, projektligjet e caktuara të miratohen edhe me bashkëpunim me to, por që edhe për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për kalimin e këtyre projektligjeve si në komisione parlamentare ashtu edhe në seanca parlamentare. Ne çka kemi gjetur deri më tash është se me dhjetëra pika nga njëra seancë në tjetrën mbarten dhe kështu ndodh pastaj grumbullimi i pikave të cilat Kuvendi është i detyruar gjithsesi të marrë një përgjigje definitive në raport me miratimin e projektligjeve që pastaj bën këtë grumbullimin e pikave”, potencoi Jakaj.
Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit Kuvendi nuk ka qenë funksional, gjë që ka ndikuar në grumbullimin e çështjeve të pambaruara dhe në pamundësinë e ushtrimit të plotë të funksioneve kushtetuese, përfshirë atë legjislativ, përfaqësues, zgjedhor dhe mbikëqyrës.
“Nga ajo që dihet është që në dy vitet e fundit nuk kemi pasur Kuvend funksional edhe nga kjo ka bërë që Kuvendit t’i grumbullohen pikat e ndryshme, temat e ndryshme dhe që s’është mundur të kryhet ato tre, katër funksionet legjislative, përfaqësues, zgjedhor dhe mbikëqyrës, domethënë këto katër funksione kushtetuese nuk kanë mundur të kryhen. Rrjedhimisht tash janë grumbulluar dhe Kuvendit do t’i duhej kohë shumë e madhe përtej orarit të tetë orësh që të punojnë deputetët dhe t’i kryejnë detyrat e veta. Nga ajo që kemi parë nuk mund ta masim realisht aktualisht punën e Kuvendit të Kosovës, por ka ngecje të caktuara, veçanërisht tek mbikëqyrja parlamentare, tek pyetjet parlamentare, ku më shumë se gjysma e ministrave nuk janë përgjigjur në pyetjet parlamentare të cilat janë parashtruar dhe veçanërisht kur shohim se atje tek neni i rregullores ku tashmë pyetja parlamentare nuk konsumohet edhe kur parashtrohet, ka grumbullim të madh të pyetjeve parlamentare”, shtoi.
Pyetjet parlamentare dhe mbikëqyrja
Jakaj ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit dhe Kryesia që të caktojnë një seancë të veçantë për pyetjet parlamentare, me qëllim që deputetët të marrin përgjigje nga ministrat dhe të përmirësohet mbikëqyrja parlamentare.
“Kryetarja e Kuvendit dhe Kryesia do të duhej me e shfrytëzuar pikën e veçantë për pyetje parlamentare jashtë rendit të ditës, domethënë që të bëhet një seancë e veçantë, në mënyrë që me u arritur mbikëqyrja efektive. Kjo gjë do të duhej të bëhej që në javën e ardhshme. Pra, Kryetarja e Kuvendit me Kryesinë me caktuar seancë të veçantë për pyetjet parlamentare që i parashtrohen ministrave. Dhe ata e dinë kur kanë pyetje parlamentare, por edhe deputetët e dinë që ajo seancë bëhet vetëm për pyetje parlamentare, në mënyrë që qytetarët të dinë për probleme të caktuara, sepse kjo pikë e rendit të ditës iu drejtohet ekskluzivisht qytetarëve të cilët dërgojnë ankesa dhe të cilat iu parashtrohen pastaj ministrave nga deputetët”, potencoi ai.
Koordinimi i deputetëve
Një tjetër problem që, sipas Jakajt, rrezikon punën e Kuvendit është mungesa e kuorumit në seanca plenare. Ai ka thënë se Kryesia dhe kryetarët e grupeve parlamentare duhet të koordinojnë aktivitetet dhe udhëtimet zyrtare të deputetëve, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e tyre në seanca.
“Çka e rrezikon punën e Kuvendit të Kosovës është kjo mungesa e kuorumit në Kuvend të Kosovës. Kryesia e Kuvendit së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare do të duhej që t’i bashkërendojë udhëtimet zyrtare, t’i bashkërendojë aktivitete të tjera parlamentare, në mënyrë që kur të caktohet seanca plenare me u ditur që deputetët duhet të jenë të pranishëm, të marrin pjesë, t’i paraqesin qëndrimet dhe të tregojnë vendimmarrjen përmes votës së deputetëve”, sqaroi Jakaj.
Prioritetet legjislative
Jakaj ka kërkuar që Kuvendi t’u japë përparësi projektligjeve që lidhen me Planin e Rritjes, marrëveshjeve ndërkombëtare për kredi me kushte të favorshme, si dhe Kodit Civil. Për këtë të fundit, ai ka thënë se përgjegjësia kryesore i takon shumicës parlamentare, e cila duhet të bashkëpunojë me opozitën për miratimin e tij.
“Tek projektligjet të cilat janë më të rëndësishme do të duhej që Kuvendi të fokusohej veçanërisht në ligjet të cilat rrjedhin nga Plani i Rritjes, në ligjet të cilat janë marrëveshje ndërkombëtare që janë kredi të mira, të buta dhe të afatgjata dhe në anën tjetër edhe ligje të rëndësishme, ta zëmë sikurse që është për Kodin Civil, ku përgjegjësia më e madhe i takon shumicës parlamentare, respektivisht Lëvizjes Vetëvendosje, që të komunikojë, të bashkëpunojë dhe në fund të bie dakord edhe me opozitën që të miratojë këtë kod sa më shpejt dhe sa më në mënyrë të përmbajtësisht në raport me ato çfarë i përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ku tashmë ato krejt e drejta civile kodifikohet në një kod, ku në fund do të jetë interesi i qytetarit që të zbatohet mirë dhe drejtë”, potencoi Jakaj.
Burimi: www.gazetaexpress.com










