Bizneset që kanë pësuar dëme në njësitë e tyre tregtare gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara në Tiranë mund të vazhdojnë të aplikojnë përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Procesi i raportimit mbetet i hapur
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një njoftimi, bën me dije se procesi i raportimit mbetet i hapur për të gjitha bizneset e prekura. Sipas të dhënave të raportuara, vlera e dëmeve të deklaruara online deri më tani arrin në 3.59 milionë euro.
Si mund të deklarohen dëmet
Sipas njoftimit, subjektet mund të deklarojnë dëmet e shkaktuara nëpërmjet shërbimit të dedikuar në portalin e-Albania, si dhe në faqen zyrtare të Administratës Tatimore, www.tatime.gov.al.
Ndërkohë Administrata Tatimore thekson se vazhdon angazhimin për të mbështetur bizneset e prekura, duke lehtësuar procedurat e raportimit dhe evidentimit të dëmeve të shkaktuara në aktivitetet e tyre tregtare.
Burimi: tirananews.al










