Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Shaqiri kujton shqiponjën ndaj Serbisë: provokimet na dhanë më shumë motiv

Shaqiri kujton shqiponjën ndaj Serbisë: provokimet na dhanë më shumë motiv
Foto: reporteri.al

Xherdan Shaqiri ka rikujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, me klubet dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.

Intervista për RSI

Në intervistën për emisionin “Larmandillo” të gazetarit Armando Ceroni, në televizionin zviceran RSI, Shaqiri foli për episodet më të veçanta të karrierës së tij, përfshirë ndeshjen kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 dhe festimin me shqiponjën dykrenare, shkruan “Gazeta Express”.

Për shqiptarët, mbrëmja e 22 qershorit 2018 mbetet e paharrueshme.

Zvicra fitoi 2:1 ndaj Serbisë. Granit Xhaka barazoi rezultatin, ndërsa Shaqiri shënoi golin vendimtar në minutën e 90-të.

Të dy futbollistët me prejardhje shqiptare festuan duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, një gjest që u bë menjëherë një nga imazhet më të njohura të atij Botërori.

Provokimet para ndeshjes

Shaqiri, i lindur në Kosovë, nuk e ka fshehur kurrë lidhjen me vendin e origjinës. Në një intervistë të mëparshme për televizionin zviceran SRF, ai tha se familjet e tyre u provokuan shumë nga pala serbe para ndeshjes, sidomos në rrjetet sociale.

“Shumë gjëra u shkruan në atë kohë. Familjet tona dhe ne vetë u provokuam jashtëzakonisht shumë nga pala serbe para ndeshjes së Botërorit 2018, sidomos në rrjetet sociale. Kjo krijoi tek ne një uri edhe më të madhe për fitore. Në fund, e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte fitorja në fushë”, kishte deklaruar Shaqiri.

Edhe para ndeshjes, ai kishte tërhequr vëmendjen me këpucët e tij, në të cilat kishte vendosur flamujt e Zvicrës dhe Kosovës. Për Shaqirin, këto simbole përfaqësonin historinë e jetës së tij. Ai dhe Xhaka u gjobitën nga FIFA për festimin me shqiponjën, por kjo nuk e zbehu rëndësinë e atij momenti për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.

Karriera te klubet

Në intervistën e re për RSI, Shaqiri foli edhe për karrierën e tij te Baseli, Bayern Munichu, Interi dhe Liverpooli. Ai kujtoi golin spektakolar me roveshatë ndaj Polonisë në Kampionatin Evropian të vitit 2016, zhgënjimet nga Botërori 2014 dhe raportet e tensionuara me ish-përzgjedhësin e Zvicrës, Vladimir Petkovic.

Një nga rrëfimet e tij lidhej me periudhën te Interi, ku kishte mbërritur mes pritshmërive të mëdha dhe përkrahjes së mijëra tifozëve. “Te Interi kishte një rrëmujë të madhe”, kujton Shaqiri, duke iu referuar problemeve financiare dhe vështirësive që po kalonte klubi italian në atë periudhë.

Ai foli gjithashtu për një episod jashtë fushës që përfshinte Valon Behramin gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Sipas gazetarit Ceroni, ajo mbrëmje kishte rrezikuar të përfundonte në faqet e gazetës zvicerane Blick.

E ardhmja

Shaqiri u pyet edhe për të ardhmen dhe mundësinë që një ditë të bëhet trajner. Përgjigjja e tij ishte e qartë: “Nuk e di. Dua të mbetem në futboll”. Për momentin, dëshira e tij është të vazhdojë të luajë.

Përtej trofeve dhe golave të shumta, historia e Shaqirit mbetet e veçantë për lidhjen me Kosovën dhe krenarinë shqiptare. Mbrëmja kundër Serbisë, me golin e minutës së fundit dhe shqiponjën dykrenare, vazhdon të jetë një nga kapitujt më të paharrueshëm të kësaj historie. /Gazeta Express

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha