Nelson Hysa ka ndezur atmosferën përpara një prej sfidave më të rëndësishme të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të përballet me gjermanin Agit Kabayel më 28 nëntor në Dyseldorf, në një duel të kategorisë së rëndë për titullin ËBC.
Përballja, e cila përkon me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, pritet të jetë një mbrëmje e veçantë për sportin shqiptar. Në prag të këtij dueli, Hysa ka zgjedhur të përcjellë një mesazh të fortë, duke treguar se përgatitjet kanë qenë intensive dhe se synimi i tij është i qartë.
Përgatitjet dhe sakrificat
Përmes një postimi në rrjetet sociale, boksieri shqiptar ka zbuluar sakrificat e bëra gjatë kampit stërvitor, duke theksuar se ka kaluar një periudhë të gjatë larg familjes dhe vendit të tij për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai e cilëson këtë përballje si sfidën më të madhe të karrierës, ndërsa nuk ka munguar as paralajmërimi për kundërshtarin gjerman.
“92% e fitoreve të mia janë me nokaut. Disa njerëz e çojnë ndeshjen deri në fund. Unë preferoj t’i mbyll gjërat shpejt. Shifrat nuk gënjejnë”, ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i Hysës për Kabayelin.
Shqiptari ka nënvizuar gjithashtu se pas çdo suksesi në ring qëndrojnë sakrifica të mëdha, disiplinë dhe besim i palëkundur te objektivi. Për Hysën, kjo sfidë ka një domethënie edhe më të madhe, pasi më 28 nëntor nuk do të përfaqësojë vetëm veten, por edhe Shqipërinë dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve.
“Një ëndërr. Një flamur. Një histori për t’u shkruar! Më 28 nëntor le të bëjmë histori”, përfundon boksieri shqiptar.
Dyseldorfi, synimi i madh
Tashmë, vëmendja është përqendruar te Dyseldorfi, ku Nelson Hysa synon të shkruajë një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij dhe t’i dhurojë Shqipërisë një tjetër arsye për krenari.
Burimi: kohajone.com










