Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për çështjet kryesore të diskutuara në takimin trepalësh, duke u ndalur te armët bërthamore, Irani dhe lufta në Ukrainë.
Armët bërthamore dhe roli i tri vendeve
Gjatë fjalës së tij në nisje të takimit, Trump theksoi se të tria vendet kanë kapacitete të rëndësishme bërthamore dhe se ndodhen në një pozicion të veçantë për të diskutuar mënyrat se si mund të reduktohet numri i armëve bërthamore në botë.
Ai e cilësoi jetik bashkëpunimin mes tyre për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në vende të tjera, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe Iranin.
“Pikërisht këtë po bëjmë në Iran. Nuk do të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan.
Lufta në Ukrainë
Trump u ndal gjithashtu te lufta në Ukrainë, duke bërë të ditur se kishte zhvilluar një diskutim të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me konfliktin.
Ai u shpreh se beson që Putini dëshiron t’i japë fund luftës dhe shpreson që edhe pala tjetër të ketë të njëjtin qëndrim.
“Unë mendoj se Putini, dhe shpresoj edhe pala tjetër, dëshirojnë të shohin fundin e kësaj lufte”, tha Trump.
Burimi: abcnews.al









