TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Shqipëria synon të zgjerojë ofertën e saj turistike edhe përmes sporteve ajrore, duke promovuar potencialet për turizëm aventurë dhe përvoja të veçanta.
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) dhe Federata Shqiptare e Sporteve Ajrore nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi për promovimin e vendit si destinacion për këtë kategori aktivitetesh.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Jola Hysaj, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Renis Tershana.
Qëllimi i marrëveshjes
Ky memorandum bashkëpunimi synon diversifikimin e ofertës turistike shqiptare, promovimin e aktiviteteve aeronautike dhe rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion që ofron mundësi për turizëm aventurë dhe përvoja të ndryshme për vizitorët.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Renis Tershana, tha se “ky memorandum bashkëpunimi me AKT ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Ky memorandum është një risi e re në marrëdhëniet e federatës tonë që ka kaq vite që është aktive si në fushën e sportit, po edhe në fushën e turizmit. Intensifikimi i komunikimit i marrëdhënieve dhe i ndarjes së ngjarjeve do të japë rezultatin e duhur”.
Alket Islami, pjesëtar i Federatës Shqiptare të Aeronautikës u shpreh se “kam qenë pioneri dhe promotori i parë kryesor i njohjes së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Por nuk mbetet pas federata jonë, e cila që nga viti 2010 me krijimin e saj ka një aktivitet të jashtëzakonshëm, kalendarik, ndërkombëtar, kombëtar dhe mbi të gjitha turistik”.
Mesazhi i AKT-së
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysja tha se “AKT është shumë mirënjohëse për punën që ju bëni çdo ditë, për imazhet fantastike që i keni dhënë jo vetëm Shqipërisë, por mbarë botës. Nëpërmjet sportit tuaj, por jo vetëm, nëpërmjet pasionit tuaj, i keni dhënë turizmit shqiptar një tjetër lloj vizioni dhe e kthen Shqipërinë në “All Senses”, moto dhe vizioni pikërisht i kësaj agjencie”.
“Uroj që ky memorandum të na bëjë të fluturojmë shumë lart së bashku dhe nga ana tjetër të sjell një rezultat sa më të mirë për të gjithë Shqipërinë për promovimin e çdo skaji të saj, por dhe sa më shumë projekte dhe bashkëpunime së bashku”, tha Hysaj.
Ky memorandum vjen në kuadër të përpjekjeve për të diversifikuar produktin turistik dhe për të promovuar Shqipërinë përtej ofertës tradicionale, duke përfshirë edhe aktivitete sportive dhe rekreative që mund të tërheqin kategori të reja vizitorësh.
/k.s/j.p/
Burimi: ata.gov.al










