Grabitjet në banesat e futbollistëve po bëhen një problem gjithnjë e më shqetësues në Premier League. Disa prej yjeve të futbollit anglez janë shndërruar në objektiv të bandave kriminale, gjë që i detyron ata dhe familjet e tyre të investojnë shuma të mëdha për sigurinë personale.
Sipas Daily Mail, situata është përkeqësuar aq shumë sa disa futbollistë kanë vendosur të instalojnë sisteme alarmi të avancuara, të punësojnë kompani sigurie dhe madje të blejnë qen të trajnuar posaçërisht për mbrojtje, me çmime që kalojnë 20 mijë euro.
Për të kuptuar përmasat e fenomenit, gazeta britanike ka sjellë dëshmi nga një ish-ushtarak i forcave speciale, i cili tani merret me sigurinë e futbollistëve. Sipas tij, lojtarët jetojnë me frikën se mund të bëhen objektivi i radhës i grabitësve, të cilët nuk hezitojnë të hyjnë në vila edhe kur brenda ndodhen anëtarë të familjes.
Për shkak të pasurisë dhe luksit që shpesh ekspozojnë në rrjetet sociale, futbollistët janë bërë objektiva tërheqës për grupet kriminale.
Për këtë arsye, disa klube të Premier League kanë marrë masa shtesë, duke angazhuar ekipe të posaçme sigurie për të monitoruar banesat e lojtarëve, sidomos kur ata janë larg shtëpisë për shkak të ndeshjeve jashtë terreni.
Një nga rastet e fundit ishte ai i Bruno Fernandes, viktimë e një grabitjeje në vilën e tij me vlerë rreth 4 milionë euro, ndërsa Manchester United luante kundër Comos në Champions League.
Sistemet e sigurisë dhe qentë mbrojtës
Sistemet e sigurisë që po instalohen në këto banesa janë me teknologji të fundit. Ato përfshijnë sensorë me rreze infra të kuqe në kopshte, kamera me njohje fytyre dhe deri në 18 kamera monitorimi. Sipas raportimit, ekipet e ndërhyrjes mund të arrijnë brenda 90 sekondave nga aktivizimi i alarmit.
Një zgjidhje tjetër që përdoret gjithnjë e më shumë janë qentë e trajnuar posaçërisht për mbrojtje. Çmimi i tyre mund të kalojë 20 mijë euro, dhe një nga futbollistët që kanë investuar në këtë drejtim është Alexander Isak, pas kërcënimeve që kishte marrë.
Megjithatë, kërkesa për këto kafshë ka filluar të ulet, pasi disa kompani sigurie kanë tashmë njësitë e tyre të specializuara me qen të trajnuar.
Edhe më të veçanta janë të ashtuquajturat dhoma paniku, të instaluara në disa prej vilave të futbollistëve. Ato hapen vetëm me një kartë të posaçme sigurie dhe përdoren kryesisht për të ruajtur sendet me vlerë, por edhe si hapësira të mbrojtura në raste emergjence.
Sipas raportimit, disa lojtarë kanë shkuar edhe më tej, duke paguar shuma të konsiderueshme për mbrojtje personale dhe për të shmangur rrezikun e sulmeve.
“Bandat nuk hezitojnë as të marrin jetë”
Një ish-detektiv, i cituar nga media britanike, ka paralajmëruar se profili i grupeve kriminale ka ndryshuar dhe rreziku është bërë edhe më serioz.
“Tashmë po flasim për banda që nuk kanë asnjë hezitim për t’i marrë jetën dikujt”, ka thënë ai.
Përballë kësaj situate, klubet e Premier League po luajnë një rol gjithnjë e më të madh, duke paralajmëruar futbollistët për rreziqet dhe duke i orientuar drejt kompanive dhe zgjidhjeve më të përshtatshme për mbrojtjen e tyre.
Kështu, përtej luksit dhe pagave milionëshe, një pjesë e futbollistëve të kampionatit anglez po përballen me një realitet shqetësues, ku siguria e familjes dhe e banesës është bërë një nga prioritetet kryesore të jetës së tyre.
Burimi: kohajone.com









