Real Madridi po kalon një moment fantastik, por José Mourinho duket i shqetësuar për atë që e pret skuadrën gjatë ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Pas fitores 3-0 ndaj Valencias, që ishte suksesi i tetë radhazi për madrilenët në të gjitha kompeticionet, trajneri portugez ngriti shqetësimin për ngarkesën fizike të futbollistëve dhe rrezikun e dëmtimeve gjatë angazhimeve ndërkombëtare.
Shqetësimi për rikuperimin e lojtarëve
Mourinho theksoi se do të preferonte t’i kishte lojtarët nën kujdesin e stafit të tij teknik, në mënyrë që të menaxhonte më mirë rikuperimin e tyre.
“Jam i shqetësuar për pushimin e kombëtareve, sepse nëse lojtarët do të qëndronin me mua dhe stafin tim, do të mund t’u kushtonim një vëmendje të veçantë rikuperimit të tyre. Por tani ata do të jenë të angazhuar me përfaqësueset përkatëse”, u shpreh tekniku portugez.
Thirrje për kujdes ndaj kolegëve
Më pas, trajneri i Real Madridit iu drejtua edhe kolegëve të tij që drejtojnë kombëtaret, duke u kërkuar të tregojnë kujdes me futbollistët, të cilët sipas tij kanë nevojë për pushim pas një kalendari tepër të ngarkuar.
“Nuk kam drejtuar kurrë një kombëtare, por imagjinoj se trajnerët e tyre mezi presin të punojnë me lojtarët. Megjithatë, futbollistët nuk kanë nevojë për më shumë ngarkesë në këtë moment. Ata kanë nevojë të pushojnë”, deklaroi Mourinho.
Megjithatë, portugezi pranoi me humor se nëse do të ishte vetë në krye të një përfaqësueseje, ndoshta do të mendonte ndryshe.
“Kam ndjesinë se, nëse do të drejtoja një kombëtare, do të isha një problem i vërtetë për klubet. Do të mendoja vetëm për veten dhe skuadrën time”, shtoi ai.
Burimi: kohajone.com









