Redaksia 18 Nëntor, 20:02 | Përditësimi: 18 Nëntor, 20:58
Skema e propozuar për sponsorizimet krijon një mekanizëm të ri që e bën më tërheqëse për një sipërmarrje angazhimin financiar në mbështetje të aktiviteteve sportive, artistike dhe kulturore. Në të njëjtën kohë, ajo cakton një listë kategorish personash dhe biznesesh që përjashtohen nga kjo mundësi.
Kufizimet për personat dhe subjektet
Projektligji përmban një nen të veçantë me kufizimet për donacionet dhe sponsorizimet. Ato zbatohen për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për të paktën tetë vepra penale, nga korrupsioni, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit, deri te trafikimi i paligjshëm, fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave dhe falsifikimi i dokumenteve. Përjashtohen gjithashtu personat ndaj të cilëve janë vendosur masa shtrënguese ndërkombëtare për ngrirjen e fondeve dhe pasurive.
Një shoqëri që është në proces falimentimi, që ka pezulluar aktivitetin ose që ka marrëveshje për shlyerjen e borxheve, nuk mund të jetë donatore apo sponsorizuese.
Sektorët e përjashtuar
I njëjti ndalim vlen edhe për kompanitë e duhanit dhe të pijeve alkoolike, për ato që importojnë ose eksportojnë këto produkte, si dhe për ato që reklamojnë lojërat e fatit.
Në listë përfshihen edhe subjektet buxhetore dhe shoqëritë ku shteti zotëron aksione.
Transparenca dhe kufijtë financiarë
Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet duhet të deklarohen. Ato anonime janë të ndaluara sipas projektligjit.
Propozimi i qeverisë parashikon që vlera e ofruar për donacione ose sponsorizime nuk mund të kalojë 30 për qind të tatimit mbi fitimin. Një biznes vetëm nuk mund të japë më shumë se 30 milionë lekë të reja.
Propozimi vendos gjithashtu një tavan prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 22 milionë euro, për vlerën totale të sponsorizimeve të lejuara brenda një viti për të gjitha aktivitetet.
Burimi: shqiptarja.com










