Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Protestë te Kuvendi dhe Ministria e Arsimit, policia zhvendos protestuesit

Protestë te Kuvendi dhe Ministria e Arsimit, policia zhvendos protestuesit
Foto: shqiptarja.com

Një grup i vogël protestuesish është mbledhur pranë Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2027, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Policia ka vendosur një kordon në rrugën drejt Parlamentit, duke penguar afrimin e tyre.

Grupi i aktivistëve të angazhuar në protestat “flamingo” kishte njoftuar një tubim para Kuvendit, në ditën e miratimit në parim të buxhetit dhe paketës fiskale. Por herët në mëngjes, para Parlamentit, në orën 09:30, u mblodh vetëm një grup shumë i vogël qytetarësh.

Të njëjtët organizatorë njoftuan edhe një protestë sot te Ministria e Arsimit, në orën 14:00, por edhe aty pjesëmarrja u shënua e ulët.

Pas qëndrimit para ministrisë, grupi u nis sërish drejt Parlamentit, rreth orës 16:00, dhe rreth orës 18:00 marshoi drejt Kryeministrisë. Aty, policia i largoi nga bulevardi për të hapur qarkullimin, dhe me tensione i zhvendosi në trotuar, në anën e Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë, për tubimin e së martës para Kryeministrisë, policia nisi hetimet ndaj 24 protestuesve, të cilët u përplasën me forcat blu duke refuzuar të lirojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky grup i vogël protestuesish në disa raste i doli përpara furgonit të policisë gjatë shoqërimeve dhe goditi disa efektivë. Sipas policisë, gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar dy punonjës të forcave blu. Përfaqësues të protestës, por edhe opozita, nga ana tjetër, pretendojnë dhunë policore.

Për bllokimin e rrugës, në zbatim të aktit normativ për tubimet, policia thotë se vendosi edhe 28 gjoba gjatë 48 orëve të fundit, nga 5 mijë lekë secila.

Zhvillimet sipas orarit:

Ora 20:13 – Pas Kryeministrisë, protestuesit marshojnë drejt Parlamentit me thirrjet “Pa dorëheqje nuk ndalemi”

Pas marshimit nga Kryeministria, protestuesit janë nisur drejt Parlamentit, me thirrjet “Pa dorëheqje nuk ndalemi” dhe “Parlamenti i krimit”.

Një pjesë e tyre ndodhej në anën tjetër të zonës, por tashmë janë bashkuar dhe po marshojnë drejt Kuvendit.

Ndërkohë, lëvizja e automjeteve vazhdon normalisht, pasi protestuesit nuk e kanë bllokuar rrugën.

Ora 18:20 – Protestuesit bllokojnë qarkullimin te Kryeministria, ndërhyn policia dhe i zhvendos në trotuar (VIDEO)

Protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë dhe tentuan të bllokojnë qarkullimin e mjeteve. Ky moment krijoi një situatë tensioni, pasi policia ndërhyri për të liruar qarkullimin dhe i zhvendosi protestuesit në trotuar.

Protestë te Kuvendi dhe Ministria e Arsimit, policia zhvendos protestuesit

Ora 17:52 – Nga Kuvendi drejt Kryeministrisë, protestuesit e “Flamingo” marshojnë në këmbë nëpër Tiranë

Pas qëndrimit në rrugën pranë Parlamentit, grupi i vogël i protestuesve të lëvizjes “Flamingo” u nis në këmbë drejt Kryeministrisë.

Aktivistët ecin përgjatë rrugës që të çon drejt Bashkisë së Tiranës, për t’u drejtuar më pas nga Kryeministria, ku pritet të vazhdojnë protestën kundër qeverisë dhe të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ora 16:19 – Protesta e “Flamingo” zhvendoset pranë Kuvendit, pjesëmarrje e ulët nën motin e vrenjtur në Tiranë (VIDEO)

Një grup i vogël aktivistësh të lëvizjes “Flamingo” vazhdon të qëndrojë pranë Kuvendit, ku deputetët po diskutojnë projektbuxhetin e vitit 2027. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa situata para Parlamentit është përgjithësisht e qetë.

Në Tiranë mbizotëron moti i vrenjtur, me kushte jo të favorshme për qëndrimin jashtë. Protesta zhvillohet me pjesëmarrje të ulët: me sy të lirë numërohen 50 deri në 70 persona, ndërsa policia ka vendosur një kordon në rrugën që të çon drejt Kuvendit.

Më herët, aktivistët u mblodhën edhe para Ministrisë së Arsimit, ku gjithashtu morën pjesë pak qytetarë.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha