Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka njoftuar se në qytetin e Gjilanit do të zbatohen tri projekte të reja infrastrukturore për të përmirësuar kushtet për zhvillimin e futbollit në këtë rajon.
Në një postim në rrjetet sociale, Ademi ka thënë se pas përfundimit të punimeve për ndriçimin e stadiumit ndihmës të qytetit, ku aktualisht luajnë skuadrat Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit, investimet do të vazhdojnë me tri projekte të tjera.
Tri projektet e reja
Projekti i parë parashikon shtrimin e një tapeti të ri sintetik në stadiumin ndihmës të Gjilanit. Investimi i dytë lidhet me vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, ndërsa i treti me shtrimin e barit natyral në fushën e kampit stërvitor të FC Drita, që do të krijojë kushte më të mira për përgatitjen e futbollistëve të klubit gjilanas.
Fushat e vogla në lagje dhe pranë shkollave
Ademi ka njoftuar gjithashtu se, në partneritet me Komunën e Gjilanit, planifikohet ndërtimi i fushave të vogla sportive nëpër lagje dhe afër shkollave, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë më shumë hapësira për t’u angazhuar me futboll.
Kreu i FFK-së ka theksuar se investimet infrastrukturore janë të rëndësishme për të ardhmen e futbollit dhe ka shtuar se puna do të vazhdojë në bashkëpunim me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit.
Burimi: www.albeu.com









