Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

53 lojtarë përjashtohen me kartonë të kuq në Brazil, rekord botëror

53 lojtarë përjashtohen me kartonë të kuq në Brazil, rekord botëror
Foto: telesport.al

Futbolli brazilian ka regjistruar një nga episodet më të pabesueshme dhe më të shëmtuara të historisë së tij. Një përleshje masive në gjysmëfinalen e kampionatit të të rinjve (U-20), mes Uberlândia dhe Mamoré, përfundoi me 53 persona të përjashtuar me kartonë të kuq, duke përfshirë futbollistë, trajnerë, pjesëtarë të stafeve teknike dhe drejtues të dy klubeve.

Ndeshja dhe rezultati sportiv

Takimi u zhvillua në stadiumin “Parque do Sabiá”, në qytetin Uberlândia, për llogari të Divizionit të Dytë të kampionatit të shtetit Minas Gerais. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-1 të Mamoré, por rezultati sportiv mbeti krejtësisht në hije për shkak të skenave të dhunës.

53 lojtarë përjashtohen me kartonë të kuq në Brazil, rekord botëror

Takimi ishte karakterizuar nga tensioni dhe nervozizmi që në pjesën e parë. Arbitri Fernando Patrick kishte nxjerrë më herët kartonë të kuq për disa futbollistë.

Përleshja në minutat e fundit

Situata doli jashtë kontrollit në minutat shtesë të pjesës së dytë. Në minutën e 54-t, Mamoré shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1. Gjatë festimit, futbollisti Davi Bittencourt bëri gjeste provokuese në drejtim të pankinës kundërshtare dhe e shoqëroi festën me fyerje.

Reagimi i lojtarëve të Uberlândia ishte i menjëhershëm. Situata u përshkallëzua brenda pak sekondash dhe u shndërrua në një përleshje masive. Në konflikt u përfshinë futbollistë, pjesëtarë të stafeve teknike dhe drejtues të të dyja skuadrave. Pamjet e publikuara treguan grushte, shkelma dhe goditje të ndërsjella, ndërsa në kaos u përfshinë edhe persona të tjerë pranë fushës.

Bilanci i përjashtimeve

Për shkak të përmasave të incidentit, arbitri nuk mundi t’u tregonte fizikisht kartonin e kuq të gjithë të përfshirëve, por i regjistroi përjashtimet në raportin zyrtar të ndeshjes.

Bilanci ishte i jashtëzakonshëm: 53 të përjashtuar gjithsej, përkatësisht 43 futbollistë, 8 pjesëtarë të stafeve teknike dhe 2 drejtues klubesh. Sipas raportit të arbitrit, 24 të përjashtuar i përkisnin Uberlândia dhe 29 Mamoré. Plot 50 prej përjashtimeve erdhën si pasojë e përleshjes masive në fundin e takimit.

53 lojtarë përjashtohen me kartonë të kuq në Brazil, rekord botëror

Incidentet nuk u kufizuan vetëm te dhuna mes futbollistëve. Arbitri raportoi edhe kërcënime ndaj tij nga persona të lidhur me klubin vendas. Për situatën u angazhua edhe policia, ndërsa në stadium u konstatuan dëmtime të ambienteve dhe pajisjeve.

Rekord i ri

Ky episod vendos një standard të ri për numrin e personave të përjashtuar në një ndeshje të vetme. Rekordi i mëparshëm ishte 36 kartonë të kuq, të dhënë në një takim të kategorisë së pestë të futbollit argjentinas, mes Atlético Claypole dhe Victoriano Arenas, më 27 shkurt 2011. Në atë përballje, arbitri kishte përjashtuar 18 futbollistë nga secila skuadër, pas një përleshjeje masive.

🤯The exact moment the chaos erupted in the Uberlândia vs. Mamoré match—which ultimately ended in a staggering 51 red cards! 🟥👀

https://t.co/HfaVXJEgkJ

— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 4, 2026

Burimi: telesport.al

Të fundit Të gjitha