TIRANË, 5 nëntor /ATSH/- Ka shumë qytete historike në botë që nuk janë të njohura si kryeqytetet, por ruajnë vlera të rëndësishme arkitekturore, kulturore dhe historike. Shumë prej tyre vizitohen pak nga turistët, shkruan “The Indian Express”, gazeta e përditshme indiane në gjuhën angleze.
Nga portet e lashta tregtare te qendrat mesjetare dhe ish-kryeqytetet mbretërore, këto qytete ofrojnë mundësinë për të zbuluar trashëgiminë e pasur të qytetërimeve të ndryshme dhe për të njohur më nga afër të kaluarën e tyre.
Gazeta ka përzgjedhur gjashtë qytete historike më pak të njohura, që rekomandohen për turistët e interesuar për historinë dhe kulturën. Gjirokastra, një nga qytetet historike të Shqipërisë, është përfshirë në këtë listë. Ajo njihet për arkitekturën karakteristike osmane dhe për trashëgiminë e saj kulturore, të mbrojtur nga UNESCO.
Gjirokastër, Shqipëri
E njohur si “Qyteti i Gurtë”, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe shquhet për vlerat e saj arkitekturore, sidomos për ndërtesat tradicionale të periudhës osmane.
Qendra historike karakterizohet nga shtëpitë me çati guri, rrugët e shtruara me kalldrëm dhe kalaja e ndërtuar në majë të kodrës, nga ku ofrohet pamje e luginës së Drinos.
Gjirokastra është gjithashtu vendlindja e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.
Arkitektura dhe monumentet
Qyteti shquhet për banesat tradicionale shumëkatëshe, të ndërtuara kryesisht gjatë shekujve XVII–XIX, me mure të trasha guri dhe elemente karakteristike të arkitekturës osmane.
Qendra historike përfshin gjithashtu Pazarin e Vjetër, që u zhvillua si qendër tregtare dhe zejtare e qytetit, si dhe xhaminë e Pazarit dhe kishat e ndërtuara gjatë shekullit XVIII.
Një tjetër monument i rëndësishëm është Kalaja e Gjirokastrës, që përbën pikën qendrore të qytetit të vjetër dhe ofron pamje panoramike mbi luginën e Drinos. Në kala ndodhen edhe hapësira muzeale dhe objekte që dëshmojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit.
Festivali dhe trashëgimia kulturore
Qyteti është gjithashtu i njohur për Festivalin Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në kalanë e tij dhe mbledh grupe artistike nga Shqipëria dhe trevat shqiptare.
Sipas renditjes në artikull, gjashtë qytetet historike të përzgjedhura janë:
Colonia del Sacramento, Uruguai
Gjirokastra, Shqipëri
Lamu, Kenia
Matera, Itali
Trogir, Kroaci
Visby, Suedi //a.i/
Burimi: ata.gov.al









