Moda duket se ka vendosur të na kthejë pas në kohë! Aksesorët që dikur ishin të pandashëm nga garderoba e vajzave në vitet 2000 po rikthehen në skenën e modës, këtë herë me një interpretim më modern dhe elegant.
Në qendër të këtij rikthimi janë çantat me printime dhe tekstura të veçanta, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje. Ato janë një mënyrë ideale për t’i dhënë personalitet edhe veshjeve më të thjeshta, duke krijuar kontraste interesante me ngjyrat neutrale.
Nëse vitet ’70 sollën motive artistike, vitet ’80 u identifikuan me logot e markave të famshme, ndërsa dekada e viteve ’90 u karakterizua nga çantat e mëdha me motive shtazore dhe kuadrate, vitet 2000 ishin periudha kur këto aksesorë arritën kulmin e popullaritetit.
Fotografitë e yjeve si Paris Hilton, Hilary Duff dhe motrat Mary-Kate e Ashley Olsen janë dëshmia më e mirë e këtij trendi.
Tashmë, me rikthimin e estetikës nostalgjike dhe kombinimeve më ekstravagante, këto modele po bëhen sërish pjesë e garderobave më të komentuara. Madje, disa prej tyre pritet të jenë ndër zgjedhjet më të preferuara edhe gjatë vitit 2027, shkruan Who What Wear.
Ja pesë modelet që ia vlen t’i keni në radar:
1. Vijat e tigrit, printi që po konkurron leopardin
Nëse deri tani motivi leopard ka qenë mbreti i printimeve shtazore, duket se ka ardhur momenti që tigri t’i marrë vëmendjen.
Çantat me vija karakteristike po fitojnë terren, duke u kthyer në një aksesor që kombinon guximin me elegancën. Ato përshtaten veçanërisht mirë me veshjet në ngjyra të qeta, por mund të transformojnë edhe një kombinim fare të zakonshëm me xhinse.
2. Logo dhe iniciale, rikthehet obsesioni me monogramet
Vitet 2000 nuk do të ishin të njëjtat pa çantat e mbuluara me logot e markave luksoze. Ky trend po përjeton një tjetër moment të artë, ndërsa modelet me monograme po rikthehen në qendër të vëmendjes.
Një rol të rëndësishëm në këtë nostalgji ka edhe popullariteti i rikthyer i Fendi Baguette, modelit të lidhur ngushtë me stilin e Carrie Bradshaw. Në të njëjtën frymë janë edhe Louis Vuitton Speedy dhe modelet Gucci Giglio.
Për ato që pëlqejnë aksesorët me identitet të dallueshëm, logot e markave janë sërish zgjedhja e duhur.
3. Efekti krokodil, elegancë që nuk del nga moda
Për një pamje më luksoze dhe të sofistikuar, çantat me teksturë që imiton lëkurën e krokodilit janë ndër alternativat më të mira.
Ky material i jep aksesorit një pamje të strukturuar dhe elegante, pa pasur nevojë për ngjyra të forta apo detaje të ekzagjeruara.
Është një prej atyre modeleve që mund të kombinohet lehtësisht me veshjet e përditshme, por edhe me paraqitjet më formale. Dhe duket se popullariteti i tij do të vazhdojë edhe në vitin 2027.
4. Motivet tartan, rikthim me frymë britanike
Kuadratet po bëjnë gjithashtu një rikthim të dukshëm në botën e aksesorëve. Të frymëzuara nga estetika tradicionale britanike, çantat me motive tartan sjellin një ndërthurje mes klasikes dhe modernes.
Ato janë një alternativë më diskrete për vajzat që duan të eksperimentojnë me printet, pa zgjedhur modele tepër të ekzagjeruara.
Për më tepër, ky motiv ka një histori të gjatë në modë dhe arrin të kombinojë elegancën tradicionale me elementet rebele të stilit punk.
5. Printi leopard, një klasik që vazhdon të fitojë terren
Duket se motivi leopard nuk ka ndërmend të largohet nga garderobat tona. Pas disa rikthimeve të njëpasnjëshme, ai tashmë konsiderohet nga shumë stilistë si një alternativë neutrale, që mund të kombinohet me një numër të madh veshjesh.
Ndryshe nga versionet më të theksuara të viteve ’90, modelet e reja po orientohen drejt nuancave më të buta dhe një estetike më të rafinuar.
Ky trend është përqafuar edhe nga emra të njohur të modës dhe showbizit, përfshirë Hailey Bieber, Kate Moss dhe Zoë Kravitz, duke konfirmuar se çantat me print leopard mbeten ndër aksesorët më të kërkuar.
Burimi: bordo.al









