Klinika në Tiranë zhvillojnë aktivitetin e shitjes së vezëve femërore kundrejt pagesës. Fiks Fare zbulon se si funksionon rrjeti dhe si realizohet tregtia e paligjshme në klinika fertiliteti në Tiranë.
Oferta në rrjetet sociale
Rrjetet sociale përdoren gjithnjë e më shumë për të reklamuar produkte, shërbime dhe për të shitur. Në rrjetin social Tik Tok, Fiks Fare zbuloi një faqe të quajtur EGG (Vezët), e cila reklamonte shitjen e vezëve femërore kundrejt pagesës prej 1000 euro.
Fillimisht gazetarët e Fiksit komunikuan me mesazhe për të shprehur interesin. Faqja në Tik Tok kërkoi të dhëna si emri, mosha, gjatësia, ngjyra e syve, pesha dhe grupi i gjakut, dhe mbi të gjitha theksoi se duhej të kishin aplikacionin Telegram.
Pas bisedave të para në Tik Tok, komunikimi vazhdoi në Telegram, ku u kërkua data e fillimit dhe e mbarimit të ciklit menstrual, dhe u siguruan për pagesën prej 1000 euro për individët me pasaportë shqiptare. Në fund, në bisedat në Telegram u tha se pagesa do të bëhej ditën e dhurimit dhe se do t’i kontaktonte koordinatorja e spitalit.
Turkish International Hospital
Pak pas kësaj, në telefonin e gazetares mbërriti një mesazh nga koordinatorja e Turkish International Hospital, e quajtur Lira.

Fiks Fare shkoi në ambientet e spitalit, i cili ndodhet në zonën e Blloku. Koordinatorja shpjegoi se fillimisht vajza do t’i nënshtrohej analizave, si grupi i gjakut, entromentoza etj., dhe një vizite mjekësore gjinekologjike, ku do të vlerësohej nëse mund të bëhej dhurimi i vezëve. Ato duhet të jenë të shëndetshme, pasi do të dhurohen për lindjen e një fëmije. Pagesa bëhet në kesh nga spitali, pohoi koordinatorja.

Menjëherë pas kësaj, gazetarja e Fiksit shkoi të përballej me koordinatoren e Turkish International Hospital për ta pyetur për tregtinë që bëhet me shitjen e vezëve kundrejt pagesës. Zonja Lira e mohoi procedurën dhe u justifikua duke thënë: “E kam pyetur vajzën si i beson Tik Tok”, para se të mbyllej në zyrë duke refuzuar të japë sqarime.
Klinika Glozheni
A është vetëm Turkish International Hospital që kryen këtë aktivitet të paligjshëm në Shqipëri? Fiks Fare shkoi edhe në një nga klinikat gjinekologjike më të njohura në Tiranë, Klinika Glozheni. Fillimisht një mjek pohoi pagesën prej 1000 euro dhe se duhej ndjekur mjekimi i duhur.
Gjatë vizitës mjekësore, mjeku Elko Glozheni pohoi se vajza fillimisht duhej t’i nënshtrohej analizave për të parë nëse ishte në kushtet e duhura për këtë procedurë, dhe më pas e drejtoi gazetaren e Fiksit në laborator për të bërë analizën. Pas investigimit, Fiks Fare shkoi në klinikën Glozheni për t’u përballur me mjekun Elko Glozheni.
Ai deklaroi se duhet të dalim jashtë, më mirë që mos të çohet puna më tej. “Nuk shet njëri vezë”, pohoi doktori, pa sqaruar se përse paguhen 1000 euro për dhurimin.
Paratë mund të jenë një zgjidhje e shpejtë për vajzat që ndodhen në vështirësi financiare, por a janë ato të vetëdijshme për atë që u kërkohet për të përfituar këto para?
Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë
Fiks Fare i drejtoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me procedurën e dhurimit të vezëve femërore kundrejt pagesës.
Në përgjigjen e kthyer, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se sipas nenit 6, pika 1 të ligjit nr. 10454, datë 21.07.2011, “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe organeve me origjinë njerëzore për qëllim transplanti”, ndalohet përfitimi financiar.
Për rrjedhojë, shitja dhe blerja e ovociteve femërore nuk lejohet në Republikën e Shqipërisë.
Fiks Fare dokumentoi me zë dhe figurë se si ky aktivitet i paligjshëm zhvillohet në zemër të Tiranës, në klinikat më të njohura.
Burimi: tirananews.al










