Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Sveçla përshëndet konkursin e ri për rreshterë pas dy vitesh

Sveçla përshëndet konkursin e ri për rreshterë pas dy vitesh
Foto: albeu.com

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka vlerësuar si mundësi të rëndësishme për zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë hapjen e procesit të gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës.

Në një postim, Sveçla theksoi se avancimi në karrierë dhe vlerësimi i meritës ndihmojnë në forcimin e Policisë së Kosovës dhe në rritjen e motivimit të pjesëtarëve të saj.

“E mirëpres hapjen e procesit të gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës. Ky është një rast i rëndësishëm për zyrtarët që, me profesionalizëm e përgjegjësi, kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë, të avancojnë në karrierë”, shkroi Sveçla.

Thirrje për gratë dhe vajzat

Ministri u bëri thirrje grave dhe vajzave që të marrin pjesë në konkurs, duke nënvizuar se avancimi i tyre kontribuon në përfaqësimin dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës.

“I nxis posaçërisht gratë dhe vajzat të aplikojnë e të përfitojnë nga mundësitë për zhvillim profesional, duke ndihmuar kështu në rritjen e përfaqësimit dhe fuqizimit të grave brenda Policisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Konkursi i mëparshëm dhe anulimi i tij

Konkursi i ri është shpallur pasi procesi i kaluar për gradën rreshter, i hapur më 12 shkurt 2024, u anulua për shkak të shqetësimeve dhe ankesave për rregullsinë e tij.

Që nga maji i vitit 2024, Dukagjini kishte raportuar për dyshime lidhur me parregullsi, mes tyre pretendime për favorizime të mundshme dhe për shpërndarjen e testit për një grup kandidatësh përpara afatit të përcaktuar.

Pas ankesave të kandidatëve dhe raportimeve, Inspektorati Policor i Kosovës kreu një inspektim të jashtëzakonshëm. Policia e Kosovës më pas anuloi konkursin dhe u zotua të zbatonte rekomandimet e IPK-së.

Rekomandimet e Inspektoratit

Raporti i inspektimit evidentoi mangësi në fazën e konkurrimit dhe përmbante tetë rekomandime për përmirësimin e procedurës. IPK-ja kërkoi, ndër të tjera, harmonizimin e bazës ligjore, sqarimin e kritereve të aplikimit, verifikimin e kushteve të kandidatëve dhe përmirësimin e përgatitjeve teknike e administrative.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha