Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS-së në Tiranë se socialistët synojnë të fitojnë kryeqytetin më 9 maj dhe se më 10 maj do të kërkojë “fuqi të madhe qeverisëse”. Ai theksoi që oferta e PS-së për Tiranën duhet të shkojë përtej projekteve të nisura, me më shumë mundësi strehimi, rrugë më të sigurta dhe cilësi më të mirë jete në çdo lagje.
“S’po ndërtojmë një organizim të ri për të fituar Tiranën më 9 maj, por organizohemi ndryshe se Tirana që do të fitojmë më 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj. Një Tiranë ku oferta jonë nuk mund të jetë vazhdimi i projekteve të nisura. Jo më shumë ndërtime, por mundësi strehimi. Jo më shumë rrugë, por rrugë ku njerëzit lëvizin më mirë dhe më të sigurt. Jo më shumë gjelbërim, por ajër, hije dhe cilësi jete në çdo lagje. Jo më shumë turistë, por më shumë vlerë e shtuar në ekonomi, jetë kulturore dhe më shumë mundësi për sipërmarrjen e punësimin. Jo një qytet që bëhet më i madh, por një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i mirë.
Tirana na kërkonte ta nxirrnim nga humnera. Tirana që kemi sot na kërkon ta ngremë në një nivel tjetër pritshmërie. Kërkon të njëjtën forcë transformuese, PS-në, por jo të njëjtat përgjigje nga forca jonë. Dikur duhej të bindnim njerëzit se Tirana edhe mund të ndryshonte. Sot duhet t’i bindim se Tirana mund të bëhet aq e mirë sa qytetet e Europës.
Shqipëria dhe rruga drejt Europës
Shqipëria, njësoj si Tirana, nuk krahasohet me Shqipërinë që ishte, por me Europën ku kërkon të bëhet pjesë. Kjo është fitore e madhe historike e ndryshimit që kemi udhëhequr, por edhe detyrimi ynë, edhe sfida më e jashtëzakonshme për të vazhduar të udhëheqim Shqipërinë. Kemi bërë shumë, por ajo që kemi bërë duhet të na vlejë më shumë për atë që duhet të bëjmë.
Besnikëria ndaj qytetarëve
Besnikëria ndaj PS-së provohet jo duke i fërkuar shpatullat njëri-tjetrit, por duke mos ua kthyer shpinën kurrë atyre që janë jashtë këtyre mureve. Riorganizimi i PS-së në Tiranë do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore tjetër elektorale. Duhet të jetë rifillimi i një marrëdhënieje besimi në një nivel tjetër, mbi të cilën pastaj do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030, në Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama.
Burimi: shqiptarja.com










