Kryeministri Edi Rama njoftoi sot fillimin e një procesi konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat lidhur me kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama deklaroi se përdorimi i rrjeteve sociale ka nxitur izolimin dhe ndjenjën e vetmisë, si dhe ka dobësuar ndarjen mes botës reale dhe asaj virtuale.
Qëndrimi i psikologëve dhe fokusi i debatit
Sipas kryeministrit, psikologët kanë arritur në përfundimin se një pjesë e madhe e të miturve e perceptojnë botën virtuale sikur të mund të hynin fizikisht brenda një PlayStation. Ai shtoi se diskutimi do të përqendrohet kryesisht te përcaktimi i moshës për kufizimin e aksesit në rrjetet sociale.
“Kjo situatë e re, e krijuar ndër vite si në Evropë ashtu edhe në Shqipëri, si rezultat i shkaqeve pjesërisht të ngjashme dhe pjesërisht të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.
Është e qartë se rrjetet sociale kanë nxitur një vetmi shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në hapësirën e përbashkët sociale dhe kanë shtyrë tej kufijtë mes reales dhe virtuales, deri në pikën që psikologët kanë arritur në përfundimin se shumë prej këtyre të miturve e shohin një mundësi të tillë si mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation.
Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin e të miturve në rrjetet sociale dhe deri në çfarë moshe, 16 apo 18 vjeç, që ata të mos kenë më asnjë mundësi të kenë llogaritë e tyre individuale në rrjetet sociale. Do të nisim një konsultim, ashtu siç na u desh të kufizojmë TikTok-un, një diskutim me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit”, tha Rama.
Burimi: www.balkanweb.com










