Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me grupin parlamentar të kësaj partie, kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po trajton protestuesit dhe në veçanti studentët.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Rama në orët e mëngjesit i fton për dialog, ndërsa në mesditë takohet me bankat, duke vepruar në kundërshtim me protestën.
Sipas Berishës, Rama po vepron si hipokrit, ndërkohë që ka ndërtuar me paratë e atyre që protestojnë, rezidenca me themele më të thella se ato të diktatorit të tij.
“Rama, nga paniku i madh që e ka kapluar dhe frika se po vjen dita e llogarisë, ka humbur logjikën dhe arsyen, duke u hedhur në kërcënime vulgare që tregojnë plotësisht tipin e tij psikologjik. Pasi u rrëzuan tavolinat e dialogut, ai takohet me bankierët dhe mendon se fuqia ekonomike e bankave do t’i kthejë pushtetin. Bankat janë biznese dhe nuk funksionojnë sipas parimeve të një narko-diktatori, por sipas ligjeve. Sot kërcënon protestuesit me lista të zeza, linçime, heqje pasaportash udhëtimi, bllokim të transportit publik, duke i nxjerrë të gjitha nga arkivat e të parëve të tij. Kërcënon se do t’u vërë në ngarkim çdo dëmtim, shikoni çfarë hipokrizie. Çfarë pretendon ky që flet për dëme, kur ka ndërtuar me paratë e prindërve të protestuesve rezidenca me themele më të thella se vilat e Enverit. Ka rrethuar rezidencat me park që nuk e ka as pallati mbretëror. Flet për dëme e taksa, ndërkohë që ka zhdukur 130 milionë euro në inceneratorin e Tiranës, 200 milionë euro me 3 inceneratorë dhe asnjëri nuk funksionon”, deklaroi ai.
Burimi: www.balkanweb.com










