Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Rama alarmon për ndërhyrje malinje në Shqipëri që nxisin urrejtje fetare

Rama alarmon për ndërhyrje malinje në Shqipëri që nxisin urrejtje fetare

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një takimi me përfaqësues të sistemit bankar se në Shqipëri po ndodhin ndërhyrje me qëllim të keq që synojnë të nxisin urrejtje fetare.

Rama theksoi se këto veprime po ushqejnë zjarrin e urrejtjes antisemitike, duke krijuar konfuzion mes gjërave që nuk duhet të përzihen, si miqësia e Shqipërisë me Izraelin dhe me hebrenjtë, ashtu edhe marrëdhëniet miqësore me Turqinë, Arabinë Saudite, Katarin dhe vende të tjera.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ANTIFA-n, ka ndërhyrje me qëllim të keq që lidhen me pozicionin e Shqipërisë dhe me përpjekje dashakeqe për të nxitur urrejtje fetare.
Shpreh neverinë time për të gjithë ata që ushqejnë zjarrin e urrejtjes antisemitike, për ata që përziejnë gjëra që nuk duhet të përzihen. Ne jemi një vend mik i Izraelit dhe i hebrenjve, ashtu siç jemi mik i Arabisë, Katarit dhe Turqisë.
Jemi një vend i vogël që ka nevojë për miq, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien. Duhet të jemi një vend që shihet si destinacion turistik, ose një vend ku të huajt vijnë të jetojnë dhe të investojnë, duke sjellë para, njohuri dhe përvojë.
Sa herë Shqipëria ngrihet lart, bëhet objekt sulmi nga brenda dhe nga jashtë.
Jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kemi qenë në fund të listës. Do të vazhdojmë të rrisim ekonominë”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se prej disa ditësh CNA ka raportuar për mashtrimet dhe lajmet e rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në porta të ndryshme, sipas të cilave avionë me izraelitë po aterronin në Shqipëri për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama nga protestat.

CNA ka zbuluar këto mashtrime dhe ka mbajtur një qëndrim të qartë ndaj individëve që prodhojnë lajme të rreme dhe teori të ndryshme konspirative.

Burimi: www.cna.al

Të fundit Të gjitha