Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Protesta: 61 të lënduar, 5 ende të shtruar në spital

Protesta: 61 të lënduar, 5 ende të shtruar në spital
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Gjithsej 61 persona, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë, punonjës sigurie, një deputet dhe kalimtarë, janë paraqitur në strukturat spitalore për të marrë ndihmë mjekësore pas protestës së zhvilluar më 28 nëntor.

Numri i të lënduarve sipas spitaleve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore, 50 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa 11 të lënduar janë trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Situata në Spitalin Universitar të Traumës

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 17 efektivë policie, 21 protestues, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.

Nga këta, 5 persona vijojnë të jenë të shtruar dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Konkretisht, bëhet fjalë për një efektiv policie, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar.

Ministria sqaron se njëri prej protestuesve të shtruar është paraqitur me kontuzion të bulbit okular dhe jo me trup të huaj në sy. Gjendja e tij po ndiqet vazhdimisht nga mjekët specialistë.

Situata në QSUT

Në QSUT janë paraqitur për ndihmë mjekësore 8 efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet. Të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë spitalin me rekomandimin e mjekut.

Personat e tjerë të paraqitur në Spitalin e Traumës kanë lënë gjithashtu spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe me rekomandimin e mjekut.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon të ndjekë situatën në bashkëpunim me strukturat spitalore. /a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha