29 Nëntori shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare. Sot bëhen 82 vite nga Çlirimi i vendit nga pushtimi nazifashist, një ditë që rikthen në vëmendje sakrificat dhe kontributin e atyre që luftuan për lirinë e Shqipërisë.
Homazhe dhe ceremoni përkujtimore
Në kuadër të kësaj dite, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore do të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që humbën jetën gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ceremoni përkujtimore do të mbahen edhe në qytete të tjera të vendit.
Pushtimi dhe kapitullimi i Italisë
Historia e pushtimit të Shqipërisë nisi më 7 prill 1939, me sulmin e Italisë fashiste. Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, kontrollin e vendit e morën trupat gjermane, duke shënuar një tjetër etapë të vështirë për popullsinë shqiptare.
Çlirimi i vendit
Lufta për çlirimin e vendit vazhdoi deri në muajt e fundit të vitit 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa më 29 nëntor u larguan edhe forcat gjermane nga Shkodra, duke shënuar përfundimin e pushtimit në territorin shqiptar.
82 vite më pas, 29 Nëntori vijon të përkujtohet si një datë me peshë të veçantë historike, në nderim të të gjithë atyre që kontribuuan në rrugën drejt çlirimit të vendit.
Burimi: bordo.al









