Fustani i gjelbër smerald, me shpinë të hapur, i veshur nga aktorja britanike Keira Knightley në filmin “Atonement” (2007), do të dalë në ankand në Londër më 9 dhjetor, në shtëpinë e njohur të ankandeve Christie’s.
Fustani dhe çmimi i pritur
Fustani, i konsideruar si një prej veshjeve më të paharrueshme të kinemasë, pritet të shitet për një shumë prej 100 mijë deri në 120 mijë funte (rreth 130.940 deri në 157.125 dollarë).
I dizajnuar nga Jacqueline Durran, fustani prej materiali të mëndafshtë u vesh nga Knightley në rolin e Cecilia Tallis, në filmin e regjisorit Joe Wright, i realizuar bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Ian McEwan.
Kjo veshje ishte shitur edhe më parë, në një ankand bamirësie në vitin 2008, ku kishte arritur çmimin prej 35 mijë funtesh.
Koleksioni i ankandit “Love & Lust”
Ankandi i sivjetmë, i titulluar “Love & Lust: A Literary Guide”, do të përfshijë edhe një koleksion objektesh që pasqyrojnë forma të ndryshme të dashurisë, romancës dhe dëshirës. Në mesin e tyre do të jenë rreth 30 libra, dorëshkrime, letra të nënshkruara dhe vepra origjinale që datojnë nga shekuj më parë.
Pjesë e ankandit do të jenë edhe postera të rrallë të kinemasë së hershme. Njëri prej tyre i përket filmit “Metropolis”, i realizuar më 1926 për premierën e tij, me një vlerësim prej 100 mijë deri në 130 mijë funte. Ndërsa posteri i filmit “Dracula” (1931), një prej veprave që shënoi një moment të rëndësishëm për kinemanë e hershme me zë, pritet të shitet për 80 mijë deri në 120 mijë funte.
Koleksioni përfshin gjithashtu letra dashurie të fillimit të shekullit XIX, të shkruara nga oficeri i njohur britanik i Marinës Mbretërore, Horatio Nelson, drejtuar Emma, Lady Hamilton. Ato vlerësohen nga 5 mijë deri në 8 mijë funte.
Në ankand do të ofrohen edhe skica origjinale të artistit Chris Foss, të krijuara për botimin e librit “The Joy of Sex” (1972), me një vlerësim prej 6 mijë deri në 8 mijë funte.
Qëllimi i ankandit
Përfaqësuesit e Christie’s në Londër, Thais Hitchins dhe Mark Wiltshire, kanë theksuar se dashuria dhe dëshira kanë frymëzuar disa prej rrëfimeve më jetëgjata në letërsi dhe art, ndërsa ky ankand synon të bashkojë objekte të veçanta që pasqyrojnë dimensionet e ndryshme të këtyre temave./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










