Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, për të shënuar përvjetorin e dytë të protestave masive të nxitura nga vendimi i qeverisë për të pezulluar përpjekjet për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Duke ngritur flamujt e Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Evropian, demonstruesit mbushën sheshin kryesor të qytetit pas një thirrjeje për mobilizim nga aktivistët pro-evropianë dhe pesë parti të opozitës, të cilat po përballen me përpjekjet e qeverisë për t’i shpallur të paligjshme.
Një vend i përçarë politikisht
Vendi i Detit të Zi ka qenë i përfshirë në trazira politike që nga zgjedhjet parlamentare të kontestuara të tetorit 2024, përmes të cilave partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, forcoi pozitat e saj në krye të shtetit.
Njoftimi i kryeministrit Irakli Kobakhidze një muaj më vonë, se qeveria e tij do të pezullonte përpjekjet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028, shkaktoi protesta në shkallë kombëtare, të cilat u përballën me represion të dhunshëm policor.
Protesta të vazhdueshme përballë represionit
Pavarësisht arrestimeve masive, gjobave të rënda dhe kufizimeve ligjore, protestuesit kanë vazhduar të dalin në rrugët e Tbilisit, për të kërkuar zgjedhje të reja dhe lirimin e demonstruesve të burgosur.
Në manifestimin e fundit, organizatorët akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për tradhti ndaj aspiratave evropiane dhe euro-atlantike të vendit, të cilat janë të përcaktuara në kushtetutën e tij.
Kreu i qeverisë insistoi të premten se kabineti i tij mbetet i angazhuar për anëtarësimin në BE dhe se është gati të nisë menjëherë negociatat e anëtarësimit.
“Çdo gjë do të bëhet për t’u siguruar që Gjeorgjia të bëhet anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian. Shpresojmë që deri atëherë edhe BE të ndryshojë qasjen e tij dhe t’u rikthehet vlerave tradicionale”, tha kryeministri.
Ëndrra Gjeorgjiane e ka akuzuar vazhdimisht Brukselin se promovon politika liberale që minojnë vlerat tradicionale familjare, sidomos me mbështetjen që ofron ndaj grupimit LGBT+.
Burimi: euronews.al










