Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Paketa e frikësimit, Rama drejt instalimit të diktaturës së re: Sanksione në TIMS, heqje bursash dhe burg për fëmijët që protestojnë

Paketa e frikësimit, Rama drejt instalimit të diktaturës së re: Sanksione në TIMS, heqje bursash dhe burg për fëmijët që protestojnë

Qeveria nuk kërkon më dialog, por po përdor metoda shtypëse. Pas dështimit për t’i bindur studentët me argumente, ekzekutivi i Edi Ramës po përgatit me nxitim një sërë masash të ashpra që synojnë haptazi të krijojnë frikë tek të rinjtë, të mbyllin zërin e kritikëve dhe të frenojnë çdo frymë proteste në Shqipëri. Duke e paraqitur si “ndalim të dhunës”, kryeministri ka paralajmëruar një kontroll të plotë që të kujton më shumë metodat e regjimeve autokratike sesa një shtet që synon integrimin në Bashkimin Europian.

Në vend që të marrë parasysh raportin alarmues të Avokatit të Popullit, sipas të cilit në Bllokun e Sigurisë mbaheshin 118 të shoqëruar në një ambient me kapacitet vetëm për 67 persona, duke i detyruar të flinin në dysheme, qeveria ka zgjedhur t’i sulmojë me çdo mjet ata që guxojnë të ngrenë zërin.

Masa më e rëndë që synon të prekë drejtpërdrejt ëndrrën e të rinjve shqiptarë është kërcënimi me izolim ndërkombëtar përmes një liste të zezë në sistemin TIMS. Qeveria po punon për t’u ndaluar protestuesve hyrjen në vendet e Bashkimit Europian, duke paralajmëruar madje edhe kufizime të aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti. Përdorimi i mekanizmave shtetërorë për të sanksionuar qytetarët që protestojnë tregon qartë se pushteti po e përdor marrëdhënien me BE-në si një mjet shantazhi thjesht politik për të mbjellë panik tek ata që duan të largohen nga Shqipëria ose të udhëtojnë jashtë saj.

Përveç izolimit, paketa e re rikthen në qendër të vëmendjes format e ndëshkimit kolektiv që të kujtojnë ligjet e vjetra të diktaturës, duke goditur drejtpërdrejt familjet e protestuesve. Prindërit jo vetëm që do të detyrohen të paguajnë dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e tyre, por Rama ka paralajmëruar edhe ndërprerjen e shërbimeve shtetërore për të gjithë familjen. Hakmarrja e pushtetit shkon edhe më tej, pasi po shqyrtohet ulja e moshës së përgjegjësisë penale nën 14 vjeç për të hapur rrugën e burgosjes së të miturve, ndërsa studentëve që përfshihen në revolta do t’u hiqen bursat dhe çdo mbështetje financiare. Edhe sistemi arsimor do të vihet nën trysninë e frikës, ku nxënësit rrezikojnë masa administrative dhe mësuesit largim të menjëhershëm nga puna nëse guxojnë të nxisin apo të mbështesin revoltën.

Në fund, teknologjia nuk do të përdoret për të modernizuar arsimin e degraduar, por për të ushqyer paranojën e kontrollit total të qeverisë. Kryeministri ka premtuar investime masive për të deanonimizuar profilet kritike në rrjetet sociale dhe për të identifikuar personat që protestojnë me kapuç ose fytyrë të mbuluar, duke deklaruar hapur se do t’i ndjekë këmba-këmbës përmes syve të teknologjisë. Ky kërcënim i hapur, së bashku me idenë për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, vërteton faktin se, përballë paaftësisë për të zgjidhur krizat, qeveria Rama ka zgjedhur të vendosë frikën, shantazhin dhe represionin si mjetet e vetme për të mbajtur karrigen e saj të paprekshme.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha