Aktorja dhe këngëtarja braziliane Lua Blanco, e njohur për interpretimin e Robertës në serialin e famshëm “Rebelde”, ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Lajmi i hidhur u bë publik më 18 tetor nga anëtarët e familjes së artistes, të cilët konfirmuan se ajo kishte luftuar me sëmundjen gjatë muajve të fundit të jetës.
Ishte vëllai i saj, aktori Daniel Blanco, ai që e ndau lajmin e rëndë në rrjetet sociale, duke postuar edhe një mesazh prekës në emër të familjes.
“Me dhimbje të madhe ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të motrës sonë të dashur, Lua Maria Blanco. Ajo kishte luftuar me kancerin gjatë muajve të fundit dhe, gjatë asaj periudhe, ishte e rrethuar plotësisht nga dashuria e familjes dhe e miqve që kishin qenë pranë saj gjatë gjithë jetës”, thuhej në deklaratën e familjarëve.
Në mesazhin e tyre, të afërmit bënë të ditur se aktorja u largua nga kjo jetë në paqe, e rrethuar nga dashuria dhe besimi fetar. Në fund, ata kërkuan mirëkuptim dhe respekt për dhimbjen që po përjetojnë në këtë periudhë të vështirë.
Lua Blanco u bë e njohur për publikun e gjerë përmes personazhit të Robertës Messi në versionin brazilian të serialit “Rebelde”, i transmetuar në vitet 2011–2012. Ajo ishte gjithashtu pjesë e grupit muzikor të krijuar nga projekti televiziv, duke ndërtuar një lidhje të veçantë me fansat e serialit.
Pas suksesit të “Rebelde”, aktorja vijoi karrierën në ekran, duke u bërë pjesë e produksioneve të tjera televizive, mes tyre “Pecado Mortal” dhe “A Força do Querer”. Përveç aktrimit, ajo u angazhua edhe në muzikë dhe fusha të tjera krijuese.
Lajmi për vdekjen e saj shkaktoi trishtim te kolegët dhe fansat. Mes artistëve që shprehën ngushëllimet e tyre ishin edhe Sophia Abrahão dhe Arthur Aguiar, me të cilët Lua kishte ndarë eksperiencën në serialin që i dha famë.
Humbja e parakohshme e aktores ka prekur veçanërisht fansat e “Rebelde”, të cilët e kujtojnë përmes personazhit të Robertës, një prej figurave më të spikatura të serialit brazilian.
Burimi: www.gazetatema.net










