Të mërkurën, nga zyrat e Partisë Demokratike, kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit trazirat që po ndodhin gjatë protestës në Tiranë janë nxitur nga pjesëtarë të lëvizjes ANTIFA.
Berisha e përshkroi lëvizjen e të rinjve si një iniciativë çlirimtare, e ngjashme me atë të studentëve në vitin 1990, e cila ngrihet kundër korrupsionit, vjedhjeve dhe politikave qeveritare që, sipas tij, kanë shtyrë mijëra prindër të emigrojnë.
“Ai vepron si një padrino. Ai bën gjithçka për të krijuar një mburojë dhe për ta paraqitur këtë lëvizje çlirimtare studentore si një ANTIFA. Asnjë element i ANTIFA-s. Zero. Lëvizja është kundër vjedhjeve të tmerrshme të tij.
A i dëgjoni studentët? Fëmijë emigrantësh, të rritur pa njërin prind. Të bërë burra, të bërë vajza të mëdha, të rritura, pa njërin prind në shtëpi sepse ua ka përzënë ky me politikën e tij.
Ua ka përzënë ky me politikën e tij dhe tani kalon si monstër nga një fjalë në një fjalë tjetër duke menduar se do mashtrojë komunitetin ndërkombëtar se këta janë ANTIFA.
Këta nuk janë ANTIFA. Dhe pikërisht dështoi në mënyrën më të turpshme kur ky u përpoq t’u japë pamjen ANTIFA dhe organizoi sulmin ndaj selisë së PD.
Dhe organizoi sulmet ndaj selive të PD në të gjitha rrethet. Se kjo i duhej atij të thoshte se ja këta nuk e kanë me mua, nuk e kanë me korrupsionin tim, nuk e kanë me drogën, nuk e kanë me narkoshtetin, këta janë anarkistë shkatërrimtarë.
Dhe u detyrua në fund të përdorë narkopolicinë e tij për të sulmuar selinë.
Të gjitha projektet e tij për të sulmuar selitë me polici kriminale, me agjentë civilë të policisë kriminale dhe Jago, ekstremistë të majtë të penetruar në protestë, kanë dështuar.
Letra e ANTIFA-s iu dogj Edi Ramës. Këta janë studente dhe studentë, gjimnaziste e gjimnazistë në kuptimin absolut liberatorë aq sa ishin studentët e vitit 1990”, u shpreh Berisha.
Burimi: euronews.al










