Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Harry Kane synon rekordin e Cristiano Ronaldos në Champions League

Harry Kane synon rekordin e Cristiano Ronaldos në Champions League

Harry Kane po i afrohet gjithnjë e më shumë një rekordi historik në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi anglez i Bayern Munichut synon të thyejë arritjen e Cristiano Ronaldos, i cili mban rekordin për numrin më të madh të ndeshjeve radhazi me gol në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

Ylli portugez arriti të shënonte në 11 ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve, nga qershori i vitit 2017 deri në prill të vitit 2018. Ndërkohë, Kane ka realizuar në nëntë takime radhazi dhe tashmë është vetëm dy ndeshje larg barazimit të rekordit të CR7.

Seria e sulmuesit anglez nisi në fund të fazës së ligës së sezonit të kaluar, me dy gola ndaj Union Saint-Gilloise dhe një tjetër kundër PSV-së. Më pas, ai gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/8-ave ndaj Atalantës, përpara se të shënonte në të dyja ndeshjet e çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve kundër Real Madridit dhe Paris Saint-Germain.

Kane e ka vazhduar këtë ecuri edhe në sezonin aktual, duke shënuar në dy ndeshjet e para të fazës së ligës kundër Bodø/Glimt dhe Viking.

Për të barazuar rekordin e Ronaldos, anglezi duhet të shënojë në dy ndeshjet e ardhshme, ndërsa për ta thyer atë i nevojitet të realizojë në tri takimet e radhës të Bayern Munichut, përkatësisht kundër Arsenalit, Atlético Madridit dhe Lille.

Sfida me Arsenalin mund të jetë një mundësi e mirë për sulmuesin, duke marrë parasysh historikun e tij ndaj skuadrës londineze. Gjatë kohës kur aktivizohej te Tottenham, Kane shënoi 15 gola në 22 paraqitje kundër rivalëve të qytetit.

Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, 32-vjeçari do të lërë pas edhe Ruud van Nistelrooy dhe Robert Lewandowskin, të cilët kanë shënuar në nëntë ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve.

 

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha