Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Qeveria i bën thirrje dialogut, Muzhaqi kërkon ndalimin e dhunës dhe mohon ekzistencën e listës së kërkesave të studentëve

Qeveria i bën thirrje dialogut, Muzhaqi kërkon ndalimin e dhunës dhe mohon ekzistencën e listës së kërkesave të studentëve

Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi deklaron se studentët duhet të mbajnë distancë nga protestat që përfshijnë dhunë.

Gjatë një interviste për “Newsline” në ABC News, Muzhaqi theksoi nevojën për t’i dhënë fund dhunës, duke shtuar se ajo nuk përbën zgjidhje. Sipas saj, problemet mund të adresohen vetëm përmes dialogut.

Muzhaqi vuri në dukje gjithashtu se studentët nuk paraqesin një listë të qartë me kërkesa specifike.

“Situata në Tiranë ka qenë e tensionuar gjatë këtyre ditëve. Dhuna nuk është normale; problemet zgjidhen duke dialoguar. Nuk është zgjidhje t’i refuzojmë bisedimet. Duhet të bashkohemi për të diskutuar së bashku. Sfidat dhe shqetësimet e të rinjve duhet t’i trajtojmë dhe t’u japim zgjidhje. Duhet të distancohemi nga dhuna. Të rinjtë duhet të jenë shembull. Një në pesë të arrestuar kishte precedentë penalë. Kjo është vërtet shqetësuese për të rinjtë dhe të rriturit e pranishëm në shesh. Kërkesat e të rinjve janë shumë të drejta. Mendoj se ky është një nga momentet kur populli shqiptar tregon inteligjencën e tij, duke kuptuar kush është aty për një kauzë të vërtetë. Fakti që kemi të njëjtat situata në disa vende, me të njëjtat lloje sjelljesh, nuk është diçka e natyrshme. Kur bëhet fjalë për sigurinë e vendeve tona, kjo është një nga pikat më të vlerësuara nga BE.

Këto ditë kanë qenë një moment kur kemi pasur vonesa në negociata. Nesër në seancë kemi një sërë ligjesh që lidhen me integrimin europian. Nuk duhet t’u japim fëmijëve shembullin e dhunës. Dhuna nuk duhet pranuar kurrë si zgjidhje. Në çdo fushë të qeverisjes në Shqipëri, por edhe në botë, ka shumë problematika. Edhe në vendet e tjera të BE, studentët kanë kërkesa. Qeveria përpiqet të japë zgjidhje. Nuk mendoj se kjo është arsyeja pse studentët ngrihen, sepse nëse do ishte kështu, do kishte një listë kërkesash. Duke pasur kërkesa konkrete, mund të punojmë për ato kërkesa”, theksoi ajo./abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha