TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Sipas projektligjit për strehimin social të përballueshëm, të miratuar në Këshillin e Ministrave dhe të dërguar për shqyrtim në Kuvend, qeveria do të përballojë gjysmën e qirasë për studentët që përmbushin kriteret e përcaktuara.
Kryeministri Edi Rama e bëri të njohur këtë gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në vend, ku u diskutua për masat që synojnë lehtësimin e problematikave sociale, mbështetjen e të rinjve dhe zgjerimin e mundësive për strehim.
“Është një ligj i ri që trajton edhe çështjen e studentëve, sepse qysh në programin e qeverisë dhe më pas një muaj e kusur më parë ne e konkretizuam këtë draft, duke krijuar një qasje krejt të re në raport me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar qiratë në Tiranë pa ua marrë frymën prindërve. Kështu, qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se projektligji parashikon edhe instrumente të tjera financiare për strehimin, përfshirë kredi me interes zero për çiftet e reja që synojnë të blejnë një apartament deri në një vlerë të caktuar, si dhe kredi me interes 3% për kategori të tjera, mes tyre profesionistët e rinj dhe punonjësit e shërbimeve shtetërore.
Sipas Ramës, synimi është që këto politika të mbështesin disa mijëra apartamente në vit, me fokus të veçantë në Tiranë, ku përballueshmëria e kostove të strehimit përbën një sfidë të ndjeshme.
Gjatë takimit, kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së financimit për politikat e punësimit të të rinjve dhe krijimit të mundësive për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional.
“Për mua, të gjithë ata të rinj që duan të punojnë, të shkollohen, të imponohen me talent, dije dhe punë, janë ata që përbëjnë shqetësimin tim më të madh dhe objektin e këtyre dëshirave dhe përpjekjeve”, tha Rama.
Në vijim, ai u ndal te bashkëpunimi me sistemin bankar për zgjerimin e financimit në mbështetje të ekonomisë dhe sipërmarrjes, duke përmendur programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili mbështet bizneset e vogla përmes garancive shtetërore.
Rama falënderoi bankat për mbështetjen e këtij programi dhe shprehu synimin për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e strehimit, si dhe përmes skemave të tjera të financimit për të rinjtë dhe sipërmarrjet e reja.
/gj.m/j.p/
Burimi: ata.gov.al










