Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shfaqur shqetësim lidhur me raportimet për dhunë gjatë protestave që po zhvillohen në Shqipëri, në një periudhë kur protestat në Tiranë kanë vijuar për tetë ditë rresht.
Në një deklaratë publike, ODIHR i ka bërë apel të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë, duke theksuar se forcat e rendit duhet të shmangin çdo përdorim të forcës që është i paligjshëm ose joproporcional ndaj protestuesve.
Institucioni i OSBE-së thekson gjithashtu se çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet menjëherë dhe në mënyrë të pavarur.
Ky reagim vjen në një atmosferë të tensionuar, ndërsa protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit vazhdojnë në Tiranë, me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Situata ka ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të tubimeve dhe respektimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
ODIHR kërkon që ruajtja e rendit publik të shoqërohet me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, ndërsa përgjegjësia për çdo përdorim të paligjshëm të forcës të trajtohet përmes hetimeve të pavarura.
Burimi: euronews.al









