Nga Linda Rustemaj
Mosdhënia e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit ose masën e arrestit ndaj ish-zyrtares së lartë Belinda Balluku ka ngritur shqetësime dhe diskutime tejet kritike lidhur me ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.
Sundimi i ligjit dhe kriteret e BE-së
Raporti midis këtij rasti dhe procesit të anëtarësimit në BE analizohet përmes dy këndvështrimeve kryesore. I pari është rritja e skepticizmit dhe presioni mbi sundimin e ligjit. Po flasim për kriteret e Kopenhagës dhe “Group-Kapitujt Themelorë” (Fundamentals).
Bashkimi Evropian i vendos në qendër të negociatave Kapitujt 23 dhe 24, të cilët mbulojnë gjyqësorin, të drejtat themelore, si dhe luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Vendimet politike që interpretohen si pengesë ndaj punës së SPAK-ut krijojnë perceptimin e mungesës së vullnetit politik për të lejuar drejtësinë të veprojë pa pengesa.
BE dhe partnerët ndërkombëtarë kanë investuar kapital të madh politik e financiar te drejtësia e re. Çdo sinjal i mbrojtjes politike ndaj zyrtarëve të lartë dobëson llogaridhënien dhe përdoret shpesh nga shtetet anëtare skeptike për të ngadalësuar hapat e ardhshëm negociues.
Ecuria teknike e negociatave
E dyta është ecuria teknike e negociatave dhe qëndrimi zyrtar. Po flasim për vijimin e procesit teknik. Nga ana administrative, Shqipëria ka vazhduar procesin e hapjes dhe analizimit të kapitujve negociues. Zyrtarisht, struktura e negociatave vijon mbi bazën e përmbushjes së kritereve teknike dhe reformave ligjore.
E vërteta është se refuzimi i kërkesës së SPAK i dha goditje të fortë rrugëtimit europian. Këtë e dinë edhe vetë përfaqësuesit e shumicës, pavarësisht se pretendojnë se çështjet individuale nuk e bllokojnë automatikisht procesin e integrimit. Ndërkohë që procedurat teknike me Komisionin Europian vazhdojnë, ngjarje të tilla politike rritin vëmendjen e vendeve anëtare të BE-së gjatë marrjes së vendimeve politike (si hapja apo mbyllja e kapitujve), ku kërkohet unanimitet absolut.
Çdo material i Brukselit ofron tashmë një pasqyrë të qëndrimeve politike mbi lidhjen mes kësaj çështjeje dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.
Burimi: gazetadita.al









