Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Investimi në Zvërnec do t’i bëjë shqiptarët krenarë

Rama: Investimi në Zvërnec do t’i bëjë shqiptarët krenarë
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se projekti për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit do t’i bëjë shqiptarët krenarë.

Rama deklaroi se projekti nuk ka asgjë për të fshehur dhe se ai përfaqëson një mundësi për zhvillimin e vendit, duke harmonizuar investimet turistike me mbrojtjen e natyrës.

I ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), në një aktivitet në Dublin me ekspertë të Europës dhe Ballkanit, si dhe diplomatë, ku foli për temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama u ndal te protestat dhe përfshirjen e Jared Kushner në këtë investim.

Zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës

Kreu i qeverisë theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëri-tjetrin, por mund të jenë plotësues.

“Kur bëhet fjalë për këtë projekt, nuk ka asgjë për t’u fshehur, nuk ka asgjë për të pasur frikë dhe nuk ka asgjë tjetër përveç se të qenit krenar për këtë gjë, për të bërë diçka transformuese për vendin tonë dhe për t’u përpjekur e për të krijuar një destinacion i cili do të tregojë se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk janë domosdoshmërisht kundërshtuese të njëra-tjetrës, por mund të jenë përplotësuese. Dhe e gjithë bota mund të “hidhet përpjetë” përmes kanaleve, medieve sociale për të thënë të kundërtën, për shkak të urrejtjes, për shkak të xhelozisë, për shkak të keqkuptimit, për shkak të keqinformimit, për shkak të gjithçkaje”, tha Rama.

Rama tha se detajet lidhur me projektin janë të aksesueshme për publikun përmes platformës “Pasqyra e Flamingove”.

“Kemi një faqe që është Pasqyra e Flamingove, mund të shkosh atje dhe të gjesh faktet. Nuk gjen retorikë, as shpjegime, thjesht fakte. E përmes fakteve do të shihni që Jared Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm nga ajo që u është dhënë edhe investitorëve të tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë”, tha Rama.

Negociatat dhe pjesa e ishullit

Kreu i qeverisë sqaroi se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, pasi palët janë në negociata dhe qeveria shqiptare kërkon që publiku të jetë aktor në këtë proces. Kryeministri vuri gjithashtu në dukje faktin se në vetëm 8% të ishullit të Sazanit parashikohet të ndërtohet.

“Nuk ka probleme me koncesionin, nuk ka asnjë projekt, një marrëveshje, sepse ne ende jemi duke negociuar dhe sepse pala jonë është në pozicionin ku mendon se publiku shqiptar duhet të jetë një aktor në këtë proces. Vetëm në 8% të ishullit mund të ndërtohet, ndërkohë që kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të investimit, nuk është paraqitur asnjë problem. Pse nuk është paraqitur asnjë problem? Sepse qeveria shqiptare ka qenë shumë rigoroze për të kërkuar një projekt që të jetë simbol, emblemë në Europë, jo një spekulim”, tha ai.

Parimet ligjore dhe investimi

Rama nënvizoi se çdo investim duhet të respektojë parimet dhe kufijtë ligjorë, ndërsa çdo rast duhet shqyrtuar mbi bazën e meritës.

“Ajo për të cilën unë shqetësohem është si të sjell më të mirën për vendin tim dhe si çdo investim dhe çdo zhvillim të mbështetet në parimet dhe kufijtë ligjorë që i detyrojnë të gjithë t’i përmbushin ato. Kush është i ndershëm e kush është i korruptuar përcaktohen nga kodi i ligjit, nuk përcaktohen nga gjykata publike, nga sheshi, pra, nga sheshi publik”, tha Kryeministri.

/m.q/r.e/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha