Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Abilekaj: Dialogu i Ramës është fasadë për dhunën dhe represionin

Abilekaj: Dialogu i Ramës është fasadë për dhunën dhe represionin
Foto: gazetashqiptare.al

Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se Edi Rama nuk ofron dialog politik të vërtetë, por vetëm një fasadë, ndërsa pas saj qëndrojnë dhuna ndaj protestuesve, gazi lotsjellës dhe topat e ujit.

Intervista në SYRI TV

I ftuar në një intervistë në SYRI TV, Abilekaj theksoi se raporti i fundit i Komisionit Evropian kërkon një Parlament funksional dhe komisione parlamentare me pjesëmarrje dhe vendimmarrje të barabartë, por mazhoranca nuk po garanton dialogun.

Ai ngriti pikëpyetjen se çfarë rruge duhet të ndjekë opozita: të vazhdojë me një opozitë bashkëpunuese apo të zgjedhë qëndrimin radikal dhe bojkotin.

Përvoja e vitit 2019

Sipas Abilekajt, përvoja e vitit 2019 tregoi se qëndrimi i opozitës u komprometua nga Lulzim Basha, i cili pas djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale u rikthye në qëndrimin pro bashkëpunimit me mazhorancën.

“Problemin nuk e kanë thënë eurodeputetët, e ka thënë raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili i ka kërkuar qeverisë ekzekutive që Parlamenti të mos jetë null.

Roli i Parlamentit është pikërisht ky: komisioni parlamentar, ku ka pjesëmarrje të barabartë mbi bazë partiake dhe vendimmarrje të barabartë.

Nëse ti, menjëherë sapo del në progres, e hedh poshtë abortin, atëherë unë mendoj që ti ke hedhur poshtë Komisionin Evropian dhe kërkesën e tij, duke qenë një vend që po tenton të mbyllë kapitujt.

Nëse këto janë të gjitha kot dhe bëjnë të gjithë sikur, atëherë në rregull.

Mendoj që duhet të pyesim se cila është mënyra e vlerësimit të një vendi dhe çfarë mund të quhet një vend demokratik në sytë e Brukselit.

Dialogu dhe protesta

Çfarë mund të bëjmë ne nëse nuk ka dialog dhe del Edi Rama, bën atë show-n e dialogut, fasadën e dialogut? Pas fasadës është huri, plumbi i gomës, gazi lotsjellës, topat e ujit dhe nuk ka asnjë rezultat. Nga ana tjetër, Parlamenti nuk funksionon, nuk e dëgjon njeri, ekzekutivi nuk dëgjon njeri dhe zgjedhjet do të bëhen siç thotë Edi Rama.

Ka një protestë permanente që thotë: jo zgjedhje me Ramën kryeministër. Por oferta e PS-së është jo vetëm me Ramën kryeministër, por edhe me një kod siç duam ne. Pra, më keq se me Ramën kryeministër: me Ramën kryeministër me një shkop, që në vend të shkopit të bejsbollit, i ka dhënë një dru nga ato të pyllit, që godet nga të gjitha anët.

Do të vazhdojmë të bëjmë rolin e opozitës që nuk bojkoton zgjedhjet, opozitës bashkëpunuese, apo do të dalë opozita dhe t’i bojkotojë?

Qëndrimi i Lulzim Bashës

Ky qëndrim radikal është komprometuar nga Lulzim Basha, sepse ai në vitin 2019 tërhoqi deputetët nga Parlamenti dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale. A dështoi? Dështoi vetëm Lulzim Basha.

Lulzim Basha, tri ditë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, shkoi në Parlamentin Evropian dhe tha që jemi pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ne jemi pro bashkëpunimit me mazhorancën.

Presioni ndërkombëtar është kur ti ke zgjedhur rrugën e bashkëpunimit me mazhorancën ose marrëveshjen me mazhorancën. Në momentin që ti merr një rrugë tjetër dhe ai të nxjerr një nga Departamenti i Shtetit që fliste aty dhe thoshte: “Këta janë terroristë”, edhe një evropian që flet budallallëqe, nuk do të thotë që ti ke dështuar në rrugën tënde. Përkundrazi, sapo ka filluar rruga jote dhe ata kanë filluar të shqetësohen për rrugën radikale.

Nëse rruga radikale do të kishte vazhduar dhe Lulzim Basha nuk do ta shkatërronte atë rrugë radikale, unë nuk e di cilat do të ishin rezultatet.

Por nëse ti, pasi merr këto dy vendimmarrje radikale, bëhesh qengj i urtë i Damian Gjiknurit në komision parlamentar, atëherë sigurisht që do të tallen të gjithë me ty”, tha Abilekaj, ndër të tjera.

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha