Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

60% e studentëve marrin mbështetje nga shteti përmes Paktit për Universitetin

60% e studentëve marrin mbështetje nga shteti përmes Paktit për Universitetin
Foto: reporteri.al

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se afërsisht 60% e studentëve marrin përkrahje nga shteti nëpërmjet masave të parashikuara në kuadër të Paktit për Universitetin, të nisur në vitin 2018.

Duke u nisur nga një studente që u shpreh në një emision televiziv se nga viti 2018 dhe Paktit për Universitetin nuk është bërë asgjë, Koçiu në një postim në rrjetet sociale bëri një përmbledhje të mbështetjes financiare për studentët, duke renditur bursat, lehtësitë në tarifat e studimit dhe investimet në infrastrukturën universitare.

Bursat dhe lehtësitë financiare për studentët

Koçiu nënvizon se 4118 studentë përfitojnë bursë për rezultate të larta, ndërsa 4648 studentë mbështeten me bursë për shkak të gjendjes ekonomike të familjes. Gjithashtu, 434 studentë ekselentë përfitojnë bursë mujore në masën e pagës minimale.

Në kuadër të lehtësive financiare, 10 152 studentë janë të përjashtuar nga tarifa e studimit, ndërsa 27 050 studentë paguajnë vetëm 50% të saj, me pjesën tjetër që mbulohet nga shteti.

Për studentët e mjekësisë, sipas Koçiut, shteti mbulon mbi 80% të kostos së studimit. Ajo bëri të ditur se mbi 4000 të diplomuar janë pjesë e administratës publike, ndërsa investimet për konviktet universitare kanë kaluar 100 milionë euro.

Buxheti i arsimit dhe dialogu me studentët

Zëvendëskryeministrja Koçiu theksoi se buxheti për arsimin nuk është ulur, pavarësisht sfidave të krijuara nga tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe kriza ekonomike e lidhur me luftën.

Koçiu u shpreh e hapur për dialog me studentët për përmirësimin e mëtejshëm të Paktit për Universitetin, në përgjigje të kërkesave dhe nevojave të tyre, duke theksuar se studentët mund të zgjedhin vetë vendin dhe kohën e takimit.

/e.i/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha