Objektivi është thjesht: të gjithë këta politikanë të rinj duhet të marrin elektoratin që ka votuar apo voton për Sali Berishën dhe që urren Edi Ramën. Ky koncept është shumë i kufizuar, sepse një politikë e re synon të nisë një komunikim të ri me publikun, pa u kufizuar nga ajo se si ka votuar kush në të kaluarën.
Dalja e Sali Berishës sot për të shpallur mbështetjen e tij politike për çdo protestë të dhunshme nuk është gjë tjetër veçse një logjikë gati e marrë nga manuali i politikës opozitare shqiptare që nga viti 2013.
Metoda e vjetër dhe kufizimet e saj
Berisha ka një lidhje të thellë, ideologjike dhe politike, me atë që njihet si “strategjia e tensionit”. Ai nuk mund ta largojë veten nga ajo logjikë që ka marrë që në fillimet e tij politike, dhe kjo i ka lënë gjurmë të qarta në identitetin e tij publik. Të presësh një ndryshim profili dhe metodash nga një politikan 85-vjeçar që ka mbetur te kjo qasje është, pa dyshim, një pritje e kotë.
Më e çuditshme është që politikanë të rinj, që paraqiten si antagonistë të Berishës dhe si përfaqësues të një rifreskimi gjeneracional të klasës politike, të ndjekin pothuajse hap pas hapi metodat dhe filozofinë e tij.
Revolucioni i përhershëm dhe bumerangu politik
Përtej kësaj, logjika e të ashtuquajturit “revolucion transparent” nuk është gjë tjetër veçse taktika që ka ndjekur opozita e Berishës dhe e Ilir Metës që nga viti 2013. Ata kanë lëvizur të gjitha levat për ta rrëzuar Edi Ramën me çdo mjet, përveç zgjedhjeve. Kur zgjedhjet janë afruar, ata i kanë shmangur, sepse kanë ditur se do të humbnin.
Edi Rama, në çdo zgjedhje, ka ardhur me një program të vetin. Ndërkohë, revolucionet e vazhdueshme, nga armët kimike, çadra e vitit 2017, djegiet me molotov të 2019-ës, deri te ngjarjet e 2021-shit, kanë qenë një bumerang politik që ka goditur vetë opozitën e Berishës. Përshkallëzimi që çoi në djegien e Tiranës është një bumerang edhe më i madh.
Në një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian, një qeverisje nuk mund të rrëzohet me dhunë.
Protesta dhe proces politik
Protestat janë diçka tjetër: ato janë proces politik që kërkon numra, ide, përfaqësim, gjithëpërfshirje dhe mbi të gjitha një vizion për ndryshim dhe negociim. Asnjë nga aktorët anarkistë të djegies së Tiranës nuk e ka këtë. Më të qartët deri tani janë proiranianët e Altin Goxhajt dhe Rinia Nacionaliste e Erdoganit, që hyjnë në skenën politike si forca të qarta antiperëndimore.
Burimi: shqiptarja.com










