Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Doda: Mundësia nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore

Doda: Mundësia nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore
Foto: euronews.al

Në emisionin Now me Erla Mëhillin, sekretarja e përgjithshme e partisë Mundësia, Barbara Doda, përjashtoi çdo mundësi dialogu apo bashkëpunimi me kryeministrin Edi Rama. Ajo theksoi se vendimi i forcës së tyre politike është i prerë: nuk do të ulen në asnjë tryezë me kreun e qeverisë, duke iu bashkuar thirrjes së qytetarëve dhe protestuesve për dorëheqjen e tij.

Mosbesimi ndaj qeverisë

Gjatë fjalës së saj, Doda u ndal te mosbesimi ndaj vullnetit politik të qeverisë për reforma të vërteta. Ajo përmendi gjithashtu të kaluarën e tyre politike në strukturat e Partisë Demokratike dhe arsyet e shkëputjes prej saj. Ajo paralajmëroi se çdo ndërhyrje e mundshme e Ramës në Kodin Zgjedhor synon t’ua vështirësojë rrugën partive të reja.

“Rama nxjerr çdo ditë karriget në bulevard, pastaj tavolina dhe kërkon dialog. Thotë dialog dhe protestuesit dalin e thonë: ‘Jo dialog, vetëm dorëheqje! Jo dialog, vetëm dorëheqje!’

Tani, në kulmin e këtyre protestave, ne nuk ulemi në asnjë tryezë me Ramën që kërkon dialog, sepse ne nuk bëjmë pazar dhe kemi qenë të qartë për këtë.

Ne nuk besojmë te Rama. Nuk besojmë se ai ka vullnetin politik për të bërë mirë dhe, sa herë PD-ja dhe PS-ja janë ulur bashkë në tryezë për reforma apo për çfarëdolloj gjëje, kjo nuk ka qenë në shërbim të shqiptarëve. Nuk u ka bërë mirë shqiptarëve.

Ne besojmë se, nëse Rama ndërhyn në Kodin Zgjedhor, vetëm do ta përkeqësojë situatën dhe do ta bëjë më të vështirë për partitë e reja, jo vetëm për ne, por edhe për partitë e reja që mund të krijohen.

Largimi nga Partia Demokratike

Ne kemi qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, nuk e kemi për turp dhe jemi larguar pikërisht kur kuptuam që Partia Demokratike nuk do të ndryshonte. Ju bëni si të doni në partinë tuaj, por në këtë parti që ne kemi themeluar, që quhet Mundësia, kemi marrë një vendim: ne nuk bëhemi pjesë e lojës së Ramës dhe nuk bëjmë pazar me të.

Sepse Rama, në çdo tryezë që ulet, mund të pranojë listat e hapura, por më pas mund t’ju thotë të votoni edhe për shkrirjen e SPAK-ut. Nuk do të bëheshim kurrë me Ramën.

Pra, ne nuk rrezikojmë të futemi me Ramën në asnjë diskutim, aq më tepër kur shqiptarët e kanë bërë shumë të qartë: ‘Jo dialog, vetëm dorëheqje!’

Edhe ne, parimisht, do të ishim për lista të hapura apo për sistem proporcional, por nuk besojmë te Rama dhe nuk ulemi me të”, u shpreh Doda.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha